“Festa e Grurit” në Pojan të Fierit çeli siparin e mbrëmjes së parë në një atmosferë të jashtëzakonshme festive nën këmbët e qytetit antik të Apolonisë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga kjo festë, e kthyer tashmë në traditë.
“Kësaj tradite të bukur iu bashkuan qindra vizitorë, në këtë event unik ku u ndërthurën historia, kultura, tradita, zakonet, mikpritja e turizmi”, u shpreh Rama.
Festa e grurit është një nga festat më të mëdha që organizon Bashkia e Fierit në kuadër të promovimit të traditës myzeqare.
E zhvilluar në muajin qershor të çdo viti dhe e shoqëruar me ritualet festive të krijuara gjatë shekujve, kjo festë vendore përbën tashmë një tjetër vlerë të shtuar të turizmit kulturor.
Me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe, edhe këtë vit “Festa e grurit” i solli të gjitha si dikur bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet dhe ushqimet tradicionale.