Në kuadër të Konferencës së 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën, që po zhvillon punimet në Tiranë, Policia e Shtetit dhe Sekretariati i Përgjithshëm i INTERPOL-it firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit për përfshirjen e Shqipërisë në Rrjetin e Akademisë Globale të INTERPOL-it.
Marrëveshja u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stock.
Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku falënderoi INTERPOL-in për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve dhe theksoi se, bashkimi i Shqipërisë me Rrjetin e Akademisë Globale është një hap i rëndësishëm përpara për sistemin e arsimimit policor dhe vetë Policinë e Shtetit.
“Jemi të kënaqur, që në rrugëtimin e gjatë e të vështirë për të forcuar kapacitetet e Akademisë sonë të Sigurisë, do të kemi edhe angazhimin e Drejtorisë së Trajnimeve për Ngritjen e Kapaciteteve të INTERPOL, e cila ka krijuar Akademinë Globale. Synimet e saj për një qasje globale të trajnimit për zbatimin e ligjit do të jenë një ndihmë e madhe edhe për Shqipërinë”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai shtoi se, sot INTERPOL-i është një lider global në ndërtimin e trajnimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit ndërkombëtar dhe është me shumë vlerë që Policia e Shtetit Shqiptar i bashkohet edhe këtij komponenti të rëndësishëm.