Gati koeficientët e rinj, rriten përfitimet për 20 mijë pensionistë! Zbardhet vendimi i ISSH, ja kur do të hyjë në fuqi
Nga muaji korrik, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të aplikojë pagat e reja për efekt të llogaritjes së pensioneve.
Aktualizimi i pagave para ‘94 do të bëhet me koeficientin 12.257, ndryshe nga një vit më parë, duke u reflektuar në këtë mënyrë në nivelin e pagave për 83 profesione. Për dy vitet e fundit, pra për 2023 dhe 2024 nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë, pra të pa indeksuara.
Vendimi është marrë javën e shkuar në mbledhjen e parë të Këshillit Administrativ pranë ISSH, të kryesuar nga zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, znj.Olta Manjani dhe pritet të kalojë javën e ardhshme në Këshillin e Ministrave. Çdo vit, afro 20 mijë qytetarë që dalin në pension përfitojnë nga aktualizimi i pagave me qëllim rritjen e masës së përfitimit.
“Ky projektvendim do të krijojë mundësinë e rivlerësimit të pagës mesatare mbi të cilën llogaritet shuma mujore fillestare e pensionit, për të gjithë personat që do të marrin pension nga data 01 korrik 2024 e në vazhdim. Koeficienti, parashikohet të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për mbi 20 mijë persona, duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura”, nënvizon ISSH në njoftimin e tij.
PERFITIMET
Pas vitit 1994, siç edhe shihet në tabelë koeficientet janë të ndryshëm, duke pësuar rënie nga viti në vit. Për vitin 1995, koeficienti është 9.864, për pagat e 1996 është 7.653, i njëjti aplikohet edhe për pagat e një viti më vonë. Ndërsa për vitin 1998, pagat indeksohen me 6.395, për të vijuar me vitin 1999, ku koeficienti është 5.190 e kështu me radhë deri në vitin 2022.
Për dy vitet e fundit, pra, për 2023 dhe 2024 nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë. Rivlerësimi i pagave, mbi bazën e të cilave janë derdhur kontributet iu jep mundësi të gjithë atyre që dalin rishtazi në pension të përfitojnë më tepër. Kjo, pasi krahas portofolit kontribuitiv, peshë ka edhe paga mbi bazën e së cilës janë derdhur kontributet.
Sa më e lartë të jetë baza e vlerësueshme për efekt të llogaritjes së pensionit, aq më i lartë do të jetë edhe përfitimi mujor. Për ta konkretizuar më thjeshtë, dikush që ka punuar në metalurgji paga për efekt të llogaritjes së pensionit nuk do të jetë 3392 lekë, por 41 575 lekë (3392 lekë X 12.257). Ose dikush që ka punuar apo është marrë me tregti e që ka pasur një pagë 2740 lekë në muaj, baza e vlerësueshme për efekt pensioni këtë vit do të jetë 33 584 lekë.