Me kryeartikull me titull “Humbje e dimensioneve kombëtare të Demokracisë së Re në Partinë Popullore Europiane”, gazeta e djathtë “ESTIA” flet sot për një disfatë të konservatorëve greke, duke paraqitur prapaskenat përkatëse të luajtura në Bruksel orët e fundit.
Çfarë ndodhi në zgjedhjet e brendshme partiake për emërimin e nënkryetarëve të PPE? E konsiderojnë çështje shqiptare me etiketën “corruption issue” “çështje korrupsioni” në Bruksel dhe kërkojnë mosregjistrimin e eurodeputetit grek në PPE!
Dobësimi politik i qendrës së djathtë greke, e cila u rendit si partia e dhjetë më e fuqishme ndër partitë simotra, ndërkohë që ishte e para – janë nëntitujt e kryeartikullit që botoi pikërisht ditën e gjyqit të Fredi Belerit. Mandati i ri parlamentar i Nea Democracias në Parlamentin Evropian dhe Partinë Popullore Evropiane u inaugurua me ogur të keq, thekson artikullshkruesi.
Fuqia e saj brenda këtyre institucioneve është zvogëluar dukshëm pas performancës së dobët elektorale në zgjedhjet e fundit evropiane. Dy fakte në dukje të palidhura e vërtetojnë këtë. E para: Siç zbulon sot “Estia”, kryesia e PPEsë nuk e ka lejuar eurodeputetin e Demokracia e Re, Fredi Beleri, i burgosur në burgjet shqiptare, të marrë pjesë në procedurat e zgjedhjes së nënkryetarëve të PPE-së me votim elektronik! Sipas një versioni -vazhdon artikulli -atij nuk ju lejua fare as të votonte me email.
Ndërsa një variant tjetër pretendon se ai ka dërguar një email përfundimtar, i cili megjithatë nuk është llogaritur në rezultatin përfundimtar. Sido që të jetë, kjo është një disfatë e përmasave kombëtare, -thekson gazeta- sidomos kur shoqërohet me informacione se në Bruksel, në radhët e udhëheqjes së PPE nën drejtimin e Manfred Weber, çështja Beleri konsiderohet tani për tani thjesht çështje e brendshme e Shqipërisë.