Një vazo romake 2000-vjeçare e gjetur në Spanjën jugore është zbuluar se përmban verën më të vjetër të gjetur ndonjëherë në formë të lëngshme. E zbuluar gjatë rinovimeve në një pronë në Carmona në vitin 2019, përmbajtja e urnës (vazos) u analizua nga një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Kordobës.
Autori kryesor i studimit, José Rafael Ruiz Arrebola, një profesor i kimisë organike në universitet, i tha CNN se urna përmban mbetje të djegura, fildish të djegur që mendohet se vinte nga një pirë funerali dhe rreth 4.5 litra lëng të kuqërremtë.
“Kur arkeologët hapën urnën ne pothuajse ngrimë,” tha ai. “Ishte shumë befasuese.”
Ekipi më pas kreu një analizë kimike të lëngut dhe zbuloi se ishte verë. Kjo ishte një surprizë e madhe, sepse vera normalisht avullon shpejt dhe është kimikisht e paqëndrueshme.
“Kjo do të thotë se është pothuajse e pamundur të gjesh atë që kemi gjetur,” tha ai, duke shpjeguar se vera ishte ruajtur nga një kapak hermetik që e pengoi atë të avullohej.
“Është diçka unike”, tha Ruiz Arrebola. “Ne ishim me fat që e gjetëm dhe e analizuam – është diçka që e shihni vetëm një herë në jetën tuaj.”
Studiuesit besojnë se zbulimi i tyre rrëzon nga froni mbajtësin aktual të rekordit për verën më të vjetër në gjendje të lëngshme, shishen e verës Speyer, e gjetur në Gjermani, e cila mendohet të jetë rreth 1700 vite e vjetër. Megjithatë, vjetërsia e shishes Speyer nuk është konfirmuar nga analizat kimike.