Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit burg, ish-kryebashkiaken e Libohovë, Luiza Mandi pasi u akuzua nga SPAK për shpërdorim detyre.
SPAK nisi hetimet, pas kallëzimit të një qytetari, i cili denoncoi faktin që në pronat e familjarëve të tij po zhvillohej një projekt nga Bashkia për zgjerimin e rrugës. Pas kallëzimit, Prokuroria e Posaçme sekuestroi projektin dhe konstatoi se ishte cënuar prona e familjarëve të qytetarit në fjalë. Gjykimi i saj dhe vendimi me një vit burg ka ardhur në mungesë ë saj pasi ajo rezulton të jetë jashtë territorit shqiptar.
Pas dënimit nga GJKKO, ish-kryebashkiakja Luiza Mandi ka reaguar duke sqaruar si qëndron çështja e projektit dhe shkeljet e saj të gjetura nga Gjykata në dëm të pronarëve të truallit ku ka kaluar rruga. Në një postim në rrjetet sociale, ajo shprehet se ndaj saj ka tendencë për ta njollosur dhe goditur politikisht. Ajo paralajmëron se do ta ankimojë vendimin e GJKKO.
POSTIMI I PLOTË:
Të dashur miq e bashkëqytetarë te mi! Jam njohur nga media për vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku akuzohem për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për një padi të ngritur kundër meje nga një pronar toke në qytetin e Libohovës. Nëpërmjet këtij postimi nuk dua të kundërshtoj apo të komentoj vendimin e kësaj gjykate, por si e votuara juaj për dy mandate, kam detyrimin që të ndaj me ju, si para Zotit, të vërtetën e këtij sulmi nga njerëz që duan të njollosin emrin tim. Para jush unë do të jap llogari, njësoj sikur të isha në detyrë.
Gjatë zbatimit të projektit për restaurimin e qendrës së qytetit Libohovë, në vitin 2016, lindi nevoja për zgjerimin e rrugës dytësore, bypass-it të qytetit. Zgjerimi do të “cënonte” edhe pronën në bashkëpronesi nga 10 pronarë, ku vetëm 15.8 metra katror i takonin paditësit. Duke qenë një sipërfaqe kaq e vogël, asnjëri nga bashkëpronarët, perfshi edhe paditësin, nuk kërkuan asnjë dëmshpërblim për këtë, por vetëm disa punime sistemimi në bahçen e shtëpisë së tyre, të cilat ju plotësuan. Punimet për sistemimin e rrugës zgjatën disa muaj, por në asnjë rast, bashkëpronarët apo paditësi, nuk kanë patur asnjë ankesë për zaptim prone, në Bashkinë Libohovë apo në ndonjë instutucion tjetër lokal. Vlera totale e pronës, sipas vlerësimit, qenkërka 3 milionë e 600 mijë lekë (të vjetra) dhe vlera që paditësit “i takon” është 360 mijë lekë (të vjetra).
Të dashur bashkëqytetarë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për këtë “dëm” që i kam shkaktuar këtij qytetari, e ka klasifikuar “shpërdorim detyre” dhe kërkon të më dënojë me 8 muaj heqje lirie! Ndihem krenare për punët e mira që kam bërë gjatë ushtrimit të detyrës sime si kryetare e bashkisë, por këtë krenari dhe emrin tim që dikush është i intresuar për ta goditur dhe njollosur, do ta ruaj me të gjitha mjetet ligjore, në çdo shkallë të gjyqësorit!