Kanë nisur punimet përforcuese në Urën e Matit, e njohur si “Ura e Zogut”, monument kulture, për vlerat e saj arkitektonike të kohës. Lajmi bëhet me dije sot nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale.
Ministri Gonxhja inspektoi nga afër punimet e fazës së parë të Urës së Matit, e njohur ndryshe si “Ura e Zogut”. Faza e parë e punimeve përfshin përforcimin e këtij monumenti kulture dhe më pas do të pasohet me restaurimin thelbësor. Krenari kombëtare që lidhi brigjet e Matit që prej 26 majit 1927, Ura e Matit është një prej veprave më të veçanta inxhinierike në Ballkan dhe njihet si një nga veprat e para inxhinierike, të këtyre përmasave, të shtetit shqiptar. Projektuar nga inxhinieri zviceran Erwin Schnitter dhe ndërtuar nga firma triestine “Mazorana & Co Triest”, nën drejtimin e inxhinierit Gjovalin Gjadri, ura e gjatë 480 metra u ndërtua me gjashtë harqe (kampata), secili nga 54 metra. Edhe pse një prej pjesëve u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ura mbetet një dëshmi e forcës krijuese dhe elegancës.
“Sot, ky monument kulture, në listën e pasurive në rrezik nga “Europa Nostra”, i është nënshtruar falë financimit nga Qeveria shqiptare, një ndërhyrjeje shpëtuese, si fazë e parë përforcuese, dhe në vijim pason restaurimi thelbësor, ku ekspertët po verifikojnë thellësinë e zhytjes së themelit dhe ndërthurjen e strukturës mbajtëse të çeliktë me këmbën e urës, veçanërisht për shkak të ndërtimit në mjedis me ujë dhe për shkak të cedimit dhe animit të këmbës së urës”, tha Gonxhja. Ky projekt pritet të kthejë për publikun, për qëllime panoramike e pelegrinazhi, një tjetër objekt trashëgimie, të aksesueshëm e të kalueshëm nga vizitorët dhe të shfrytzueshëm për komunitetin e zonës.