Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, paraqiti sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit”.
Duke u ndalur tek impakti që krijon ky projekt në zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore të vendit, Balluku u shpreh se bëhet fjalë për një prej projekteve më të rëndësishme që lidhet me ndërtimin e një rrjeti transporti kombëtar multimodal në shërbim të zhvillimit ekonomik e mirëqenies sociale të shtetasve shqiptarë.
Sipas saj, “projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së huasë me vlerë 98,7 milionë euro me BERZH-in”.
“Kësaj shume i shtohet edhe një hua prej 100 milionë euro e akorduar nga Banka Europine e Investimeve që do t’i përcillet Kuvendit për shqyrtim shumë shpejt, si dhe një grant investimi i BE-së, i cili arrin në vlerën 133 milionë eurove”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja theksoi se të gjitha këto incentiva të BE-së janë të shumë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit të hekurudhave shqiptare.
“Ne kemi arritur të fitojmë besimin e pakthyeshëm të partnerëve tanë strategjikë si BE, e cila ka vendosur të investojë në Shqipëri vlerën e konsiderueshme prej 133 milionë euro në formën e një granti pa asnjë kosto për buxhetin e shtetit shqiptar. Shumica e projekteve strategjike vijnë të mbështetura nga grante të BE-së apo kredi dhe marrëveshje të tjera të dhëna nga partnerët tanë”, shtoi Balluku.