Në Shkodër janë gjobitur 1027 shoferë, pasi u kapën nga dronët duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjobat më të shumta janë vendosur për shkelje si parkim i gabuar, mosvendosje e rripit të sigurimit dhe parakalim i gabuar.
Njoftimi i Policisë:
Intensifikohet monitorimi i akseve rrugore në qarkun Shkodër me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për të lehtësuar qarkullimin gjatë sezonit turistik.
Monitorimi nëpërmjet dronëve të cilësisë së lartë dhe mjeteve të tjera inteligjente që tashmë ka në dispozicion Policia Rrugore e Shkodrës.
Si rezultat i kontrolleve, gjatë një jave janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative:
124 drejtues automjetesh për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
80 drejtues automjetesh për parakalim të gabuar;
85 drejtues automjetesh për mosvendosje të rripit të sigurimit;
78 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
660 drejtues mjetesh për pushim mjeti, në kundërshtim me sinjalistikën rrugore.
Policia e Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara.