Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA vendosi të gjobisë për herë të tretë Federatën Shqiptare të Futbollit me vlerën 86,500 euro për incidentet e ndodhura në ndeshjen e raundit të tretë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” kundër Spanjës, që u luajt mbrëmjen e së hënës në stadiumin e Dyseldorfit.
Ky penalizim financiar ka ardhur edhe këtë herë nga problematikat e shkaktuara nga disa tifozë shqiptarë, të cilët kanë hedhur objekte në fushën e lojës, kanë transmetuar mesazhe të papërshtatshme, kanë ndezur flakadanë gjatë ndeshjes, por edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës.
Vendimet e plota të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA:
-Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 8,500 euro për ndezjen e flakadanëve.
-Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 25.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.
-Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 45,000 euro për hedhjen e sendeve.
-Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 8,000 euro për pushtimin e fushës.