Kryeministrja italiane Giorgia Meloni vizitoi sot Portin e Shëngjinit dhe zonën e Gjadrit ku do të funksionojnë dhe dy strukturat pritëse për migrantët, sipas marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve, e cila ka provokuar debate të shumta jo vetëm në Italia. E shoqëruar nga kryeministri Edi Rama, ajo deklaroi se këto struktura do të jenë të gatshme në fillim të muajit gusht. Zonja Meloni këmbënguli në faktin se marrëveshja mund të jetë një mjet i fuqishëm për të frenuar flukset migratore. Kryeministri shqiptar nga ana e tij, përsëriti se vendi i tij e ndërmori këtë hap, si një shenjë mirënjohjeje ndaj Italisë për mbështetjen e madhe që ajo i ka ofruar Shqipërisë ndër vite.
Shtatë muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për migrantët në Romë, me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kreu i qeverisë italiane, ishte sot në Gjadër e Shëngjin, aty ku do të veprojnë dy strukturat pritëse. Protokolli mes dy vendeve parashikon që migrantët e kapur në det nga anijet e autoriteteve italiane, të sillen në Shqipëri, ku kampi që do të ngrihet në Gjadër do të ketë një kapacitet maksimal prej 3 mijë vendesh.
Në Portin e Shëngjinit, ku do të kryhen procedurat e para të identifikimit të migrantëve, struktura është përfunduar. Por siç shpjegoi kryeministrja Meloni, gjithshka pritet të nisë në fillim të muajit gusht: “Dy strukturat do të jenë funksionale prej datës 1 gusht dhe fillimisht do të nisim me më shumë se 1 mijë vende, për të mbërritur pastaj, deri tek shifra 3 mijë siç është parashikuar nga Protokolli”.
Që nga momenti i firmosjes, marrëveshja ka qenë në qendër të debateve të shumta, kryesisht në Itali. Ndërsa opozita e ka sulmuar zonjën Meloni duke folur për një lëvizje elektorale të saj, apo për shpenzime që nuk justifikojnë qëllimin, organizata të të drejtave të njeriut kanë ngritur po ashtu shqetësime mbi rrezikun e shkeljes së konventave ndërkombëtare për migrantët dhe azilin.
Për kryeministren Meloni, në të kundërt “elementi më i dobishëm i kësaj marrëveshje është se mund të jetë një mjet i jashtëzakonshëm për të frenuar emigrantët e paligjshëm që duan të mbërrijnë në Itali dhe në Europë dhe gjithashtu mund të jetë edhe një instrument efikas për t’iu kundërvënë rrjeteve të trafikantëve, sepse, po, ka trafikantë të cilët ne përpiqemi t’i luftojmë. Kjo përkthehet gjithashtu edhe në një reduktim të shpenzimeve”.
Kryeministri Edi Rama nga ana e tij, tha se Shqipëria u bë objekt sulmesh të padrejta me gjysëm të vërteta: “Kjo qendra këtu bën zhurmë të madhe vetëm për faktin që ne nuk jemi në Bashkimin Europian sepse po të ishte ndërtuar e njëjta qendër si këtu, në çdo vend të Bashkimit Europian, konsiderohet normal. Këtu konsiderohet Guantanamo ose Lager. Po pse? Për cilën arsye?”
Zoti Rama përsëriti se ai kishte refuzuar më parë marrëveshje të ngjashme me vende të tjera, porse me Italinë, për shkak të marrëdhënieve të veçanta mes dy vendeve, dhe mbështetjes së madhe që ajo i ka ofruar Shqipërisë, ishte një shprehje mirënjohjeje. “Nuk ka këtu kalkulime të asnjë natyre. Pastaj, funksionon a nuk funksionon, do të ketë probleme, si do zgjidhen problemet, këto janë të gjitha gjëra që do t’i provojë koha, por ama kjo është një marrëveshje zemre dhe një marrëveshje përgjegjësie, në raport me një miqësi strategjike dhe në raport me një komunitet siç është komuniteti i vendeve të Europës që është sot në një situatë ku ka shumë pikëpyetje për mënyrën sesi të adresojë këtë fenomen. Kaq”.
Të dy kryeministrat vunë në dukje faktin se, një pjesë e mirë e vendeve të Bashkimit europian, sic u shprehën, po kërkojnë që të ndjekin shembullin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë./VOA