Kombëtarja shqiptare mbylli me sukses fazën përgatitore në Austri dhe tani “Kuqezinjtë” janë vendosur në Kaiserau në Kamen ku do të qëndrojnë dhe përgatiten në kuadër të finaleve të Evropianit “Gjermani 2024”, më konkretisht për sfidat ndaj Italisë, më 15 qershor, Kroacisë, më 19 qershor dhe Spanjës, më 24 qershor.
Nga kampi bazë në SportCentrum Kaiserau “shtatlari” i mbrojtjes së Kombëtares kuqezi, Arlind Ajeti po zhvillon mesditën e kësaj të marte, një konferencë për shtyp, nga ku më tej ka follur për rikuperimin e dëmtimeve të pësuara gjatë këtij sezonit, si dhe objektivave që “Legjionarët” kanë në këtë Kampionat Evropian.
“Dëmtimet janë pjesë e futbollit. Besoj se jam përgatitur mirë. Këto ndeshjet e fundit miqësore më kanë bërë shumë mirë dhe besoj se jam 100% gati. Shpresat për kualifikimin e mëtejshëm e kemi në çdo sfidë. Në futboll mund të ndodhë gjithçka, ne do të japim maksimumin. Do të kërkojmë rezultatin pozitiv në çdo sfidë”,- u shpreh mbrojtësi i “Legjionarëve”.