Në sezonin e tij të dytë tek Inter, Asllani fitoi më shumë minuta, kjo ishte e pritshme pas largimit të Brozovic, por sërish jo mjaftueshëm për një talent, për një lojtar të ri që është në kulmin e tij. Për sa kohë në Milano do të jetë një lojtar si Calhanoglu dhe trajner Simone Inzaghi është e vështirë që statusi i Asllanit, si zëvendësues luksi, të ndryshojë. Për këtë arsye emrin e Asllanit e gjejmë shpesh në “botën” e merkatos.
Pak ditë më parë, emri i tij u lakua për një transferim të mundshëm tek Atalanta, me ekipin e Gjimshitit që ishte gati të investonte 28 milionë euro për kartonin e tij, por sipas mediave italiane, drejtuesit e Inter e refuzuan në mënyrë kategorike ofertën e ardhur nga ekipi bergamask.