Félix-Antoine Hamel kandidoi në zgjedhje në shenjë proteste ndaj sistemit elektoral të vendit, shkruajnë mediat.
Një burrë në Kanada ka hyrë në histori pasi u bë i vetmi që merr zero vota në zgjedhjet për një zonë në Toronto, por sërish rezultatin e konsideronte si një formë konsensusi nga votuesit.
“E pashë rezultatin dhe mendova se jam vërtet një kandidat i unitetit, sepse të gjithë janë dakord të mos votojnë për mua”, tha Félix-Antoine Hamel për rrjetin CBC News.
Hamel ishte mes 84 njerëzve të listuar në zgjedhjet e pjesshme në Toronto dhe dha emrin e tij kur iu kërkua nga shoqata e aktivistëve për reformën elektorale.
Një nga premtimet kyçe të kryeministrit aktual të vendit Justin Trudeau në fushatën e 2015 ishte se ato zgjedhje do të ishin të fundit me sistemin e maxhorancës për një kandidat të vetëm, por pas fitores së partisë së tij ai hoqi dorë nga premtimi.
Kritikët thonë se ky sistem përqendron pushtetin në dorë të dy partive të mëdha dhe u heq te drejtën partive të vogla që fitojnë më pak vota.
Shoqata protestuese ndaj sistemit elektoral ka vendosur 77 emra në votën në Toronto në zgjedhjet që po ndiqen me interes për nga objektivi i tyre.
Gjithashtu në këto zgjedhje fleta e votimit ishte një metër e gjatë, më e madhja në historinë e Kanadasë. “Dimensionet e fletës së votimit bënë që të kërkohej më shumë kohë se zakonisht”, thanë aktivistët.
Hamel i cili jeton në Montreal, larg zonës elektorale, nuk mund të votonte për veten, dhe kjo solli numrin e pazakontë të votave për të, shkruan The Guardian.