Këngëtari i njohur Nasar Berisha i ftuar në “S’e luan topi” me Erjona Rusi tregon se si e ka përballuar sëmundjen e tij të rrallë, alopecinë, ku si pasojë ka humbur flokët.
Ai shprehet se ka qenë shumë e rëndë për të, u mbyll në vetëvete dhe transformimi i tij në pamje e bëri që të mos dilte më në publik dhe të mos këndonte apo të shkruante më tekste.
Erjona Rusi: Ju u përballet me një sëmundje fatmirësisht jo të rrezikshme dhe dashje padashje ju ka ndikuar, flasim për alopecinë, si pasojë e së cilës është edhe humbja e flokëve. Si ka qenë kjo betejë me alopecinë?
Naser Berisha: Ka qenë e dyfishtë për mua. Nga ana fizike ndryshova shumë, kjo më bëri që të tërhiqem dhe nga muzika. Në 2007 e pata këtë sëmundje e më pas u tërhoqa. Këtë sëmundje e kisha edhe një herë në moshën 17-vjeçare por atëherë zgjati vetëm 6 muaj dhe përsëri mu kthyen flokët. Kur je i ri sistemi imunitar e përballon dhe e tejkalon.
Këngëtari tregon se në moshën 37-vjeçare kjo sëmundje iu shfaq përsëri dhe priti që t’i riktheheshin sërish flokët por nuk ndodhi, kjo ishte dhe arsyeja pse ai e la karrierën në muzikë.
Nasar Berisha: Prita, mendova se do ktheheshin por nuk u kthyen, pushova aq shumë saqë nuk u ktheve më në muzikë sepse nuk e gjeja dot më veten. Në anën emocionale isha i thyer shpirtërisht, nuk kisha vullnet të shkruaja këngë e as të bëja muzikë, por edhe të paraqitesha para publikut me atë pamje fizike. Me kalimin e kohës e pranon fatin edhe sëmundjen. Fillon të shkruar përsëri dhe të këndosh nga pak përsëri. Pavarësisht fizikut që kishte ndryshuar, unë isha po i njëjti, zëri nuk kishte ndryshuar, i njëjti talent dhe njeri.