Partia Socialsite po zhvillon mbledhjen e grupit, ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama. Në fokus të fjalës së Ramës është komisioni ‘Antikorrupsion’, i cili është bojkotuar nga opozita. Kreu i qeverisë hodhi poshtë akuzat se është një tentativë për të kapur reformën në drejtësi, ndërsa tha se vendi ka nevojë për një dallgë të re reformash për të çuar para procesin e integrimit.
“Padrejtësisht u parapërfytyra si përpjekje e PS për të vënë në kontroll drejtësinë. Dua të shtjelloj pak më gjerë arsyet e mëdha për pse e ngritjes së komisionit ‘Antikorrupsion’ dhe domosdoshmërinë e një dallge të re reformash që nuk lodhet vetëm dhe drejtpërdrejtë me qeverinë, por edhe me institucionet e pavarura.
E gjithë lënda për të kuptuar nismën gjendet në dokumentet e formulara gjatë dhe në fund të procesit të diagnostikimit të Shqipërisë pas hapjes së negociatave, një proces që në gjuhën e BE, quhet screening. Mundëson leximin deri në qelizë të gjendjes së organizimit të shtetit.
Sigurisht pasohet nga recetat për të kuruar deri në fund atë organizëm duke mundësuar që përgatitja për anëtarësimin e shtetit, të Shqipërisë në BE të përfundojë me një diagnozë plotësisht të qartë dhe të suksesshme. Ka qenë një proces që ka zgjatur për 14 muaj dhe janë përfshirë 157 institucione”, tha Rama.