Konferenca u bashkëorganizua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Maqedonisë, dhe kishte si qëllim shkëmbimin e ideve dhe përvojave mbi veprimtarinë e përbashkët në fushën e arkivistikës.
Arkivistë nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë në Konferencën e 8 Mbarëkombëtare të Arkivistikës, në Elbasan.
Konferenca u bashkëorganizua nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Maqedonisë, dhe kishte si qëllim shkëmbimin e ideve dhe përvojave mbi veprimtarinë e përbashkët në fushën e arkivistikës.
Këtë e bëri të ditur, drejtori i Përgjithshëm të Arkivës së Shqipërisë Ardit Bido, në një lidhje live në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, në Report Tv.
Bido tha se këtë vit konferenca përkon edhe me 75- vjetorin e ngritjes së arkivit qendror shtetëror.
“Në konferencën ndërkombëtare të arkivit, ky është edicioni i 8 që marrin pjesë arkivist nga të gjitha trojet shqiptare. Është bërë një traditë që vijon sepse ne nuk mundet që të ndahemi në kulturë dhe në trashëgimi, nuk mundet që ta ndajmë kombin tonë në kufinj politik, kufinjtë politik ekzistojnë dhe ne i respektojmë. Kjo është konferenca e 8 mbarëkombëtare sepse në edicionet e kaluara është bërë në Tiranë, Prishtinë, në Shkup, në Sarandë, në Mal të Zi dhe tashmë i ka ardhur radha edhe Elbasanit. Këtë vit përkon edhe me 75 vjetorin e ngritjes së arkivit qendror shtetëror, ku ne kishim një agjendë shumë të ngjeshur me homolog të rajonit si: Izrael, Egjipt Bosnja, Kroacia, Turqia, Mali Zi etj”, tha ai.
Ndër të tjera, Bido tha se është duke u punuar për të arritur një unifikim të dokumentacionit online mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Ne kemi 6 vite që punojmë duke u unifikuar dhe qëllimi është që të bëjmë edhe një unifikim online të dokumentacionit mes vendeve. Ne morëm dokumente mbi arbëreshët e Zarës në Kosovë, po ashtu Kosova ka marr disa dokumente të tjera të figurave të historisë tonë kombëtare që vijnë nga Kosova. Çdo dokument që po marrin i përket të dyja palëve”, tha ai.
Nga ana tjetër, Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Bislim Bislimi, tha se arkivi mes dy vendeve nuk mund të funksionojë si i ndarë, pasi sipas tij Shqipëria dhe Kosova kanë histori të përbashkët.
“Ne kemi qenë dhe do të jemi edhe në vazhdim gjithmonë bashkë për të shkëmbyer përvoja dhe për të ndarë vizionin, dhe për të ecur përpara drejt unifikimit të arkivit, sepse si tha Bido nuk mund të funksionojmë të ndarë sidomos në arkivë sepse kemi një histori dhe të kaluar të përbashkët”, tha ai.