Ditën e sotme, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndalimin e përdorimit të rrjetit social ‘TikTok’ në të gjitha institucionet publike. Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Bardhyl Dobra ka thënë se me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike kanë rekomanduar Qeverinë që të ndaloj përdorimin e TikTok dhe të gjitha shërbimet e tij në institucionet publike.
“Me qëllim të rritjes së sigurisë kibernetike MPB-ja i rekomandon Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndalojë instalimin, përdorimin dhe funksionimin e aplikacionit të rrjetit social TikTok dhe të gjitha shërbimeve të tij në të gjitha rrjetet shtetërore të komunikimit elektronik dhe të pajisjeve zyrtare të teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit që janë në pronësi dhe në menaxhim të institucioneve publike”, ka thënë Dobra.
Ai tha se do të detyrohen të gjithë institucionet publike të cilët administrojnë rrjete shtetërore të komunikimit që të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e shërbimeve të rrjetit social TikTok në ambientet zyrtare të punës.
Kujtojmë se ky rregull nuk është vendosur në Shqipëri. Edhe pse u cilësua si rrezik nga kreu i deputetëve të PS-së, Taulant Balla, vendi ynë ende nuk e ndalon përdorimin.
“Të ndalohet përdorimi i rrjetit social Tik Tok, në institucionet pulike”, ky ka qënë propozimi i kreut të grupit socialist, Taulant Balla, në Komisionin e Integrimit Europian duke e cilësuar si një rrezik të madh për sigurinë, që vjen nga Kina, por duket se asgjë nuk është vendosur.
Ndryshe nga ne, disa vende perëndimore, SHBA-ja dhe institucionet e Bashkimit Evropian kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e TikTok-ut në pajisjet e përdorura nga punonjësit zyrtarë për punë.