Kryeministri çek Petr Fiala akuzoi Rusinë se qëndron pas sulmit të dështuar të javës së kaluar me zjarrvënie në një depo me autobusë në kryeqytetin Pragë.
Në një deklaratë për media pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Çekisë, Fiala tha se sulmi i dështuar ishte “me shumë mundësi” i organizuar dhe financuar nga Moska, duke shtuar se plani ishte pjesë e një fushate të “sabotazhit hibrid” të drejtuar nga Rusia kundër vendeve evropiane.
“Lidhja është jo vetëm e mundshme, por shumë e mundshme”, u tha ai gazetarëve.
Policia tha më herët se arrestoi një shtetas të huaj të shtunën me akuzën për terrorizëm. Ata e përshkruan të dyshuarin si “një burrë që fliste spanjisht, me origjinë nga Amerika e Jugut”, i cili me sa duket kishte qenë në vend për të paktën pesë ditë.
Fiala tha se përpjekja e dështuar për zjarrvënie mund të lidhej me një varg sulmesh të ngjashme në Evropë që dukej se ishin të orkestruara nga Moska. Policia shtoi masat e sigurisë në kryeqytet të premten e kaluar pas incidentit.
Autoritetet publikuan pamjet e kamerave të sigurisë që tregonin një burrë që paguante për sendet në një dyqan apo pikë karburanti. Policia fillimisht tha se ai ishte ndoshta i rrezikshëm dhe paralajmëroi njerëzit që të mos i afroheshin, por njoftoi arrestimin e tij të nesërmen.