Aktualisht, është e pamundur të vazhdohet me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas analistëve, është e pamundur të arrihet edhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit që ka këtë qëllim.
Lajçak, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Prishtinë, më 18 qershor, tha se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke kujtuar se qasja në fondet e BE-së varet prej saj.
Ai takoi zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa në Beograd, më 19 qershor, do të takojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit.
Kurti po qëndron në Gjermani me ftesë të përfaqësuesit të posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin. Atje, mes tjerash, ndoqi edhe ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Kroacisë, në kuadër të Kampionatit Evropian Euro 2024.
Pas takimit me Lajçakun, Bislimi theksoi rëndësinë e “nënshkrimit dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes [së Ohrit], përmes një plani të balancuar, të barabartë dhe të drejtë”.
Ai, po ashtu, tha se Serbia e ka shkelur vazhdimisht këtë marrëveshje, sidomos nenin që ka të bëjë me mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Serbia e bëri këtë gjë muajin e kaluar, kur po shqyrtohej anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.