Puçi juridik që e ngjiti vulën e partisë së parë opozitare shqiptare në katin e tetë ku qëndron i burgosur i shpalluri non grata për korrupsion madhor, është vetëm një episod i rebelimit të Edi Ramës ndaj SHBA-ve. Para se ta njihte zyrtarisht gjykata, Sali Berishën e kishte njohur maxhoranca. Edhe pa vulë e pa legjitimitet, kreu i grupit parlamentar iu dha Rithemelimit. Bashkëpunimi Rithemelim-Rilindje i bën jo serioze kërcënimet e perandorisë për të mos bashkëpunuar me një non gratta. Ky bashkëpunim nisi me votën pro lirimit të të korruptuarve dhe po vijon me bllokimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor, çka ruan eskluzivitetin e politikëbërjes në Shqipëri në dy hartuesit kryesorë të listave të korrupsionit.
Rebelimi i Edi Ramës ndaj SHBA-ve ka nisur kohë më parë. Që kur ministria e tij e jashtme ‘’njoftonte’’ fundin e mandatit të ambasadores Yuri Kim. Që kur tentoi të kapte kreun e SPAK dhe humbi vetëm për një votë. Që kur përkrahu Albin Kurtin në lojën e rrezikshme nacionaliste, duke tejkaluar mosmarrëveshjet mes tyre. Që kur me anë të një tjetër puçi zhvlerëson Gjykatën Kshtetuese për mandatin e Xhaçkës.
Rezultati është i qartë për këdo. Politika dhe drejtësia në Shqipëri janë domen i shefit të qeverisë. Ai dikton vendimet e gjykatave. Ai zgjedh opozitën që do të ketë përballë. Sali Berisha nuk është lojtar në këtë poker politik. Sali Berisha është një ‘’Xha Gorio’’ i mjerë që dëshpërimisht kërkon të shpëtojë nga burgu veten dhe trashëgiminë e tij biologjike. Ai është i detyruar të kërcejë vallen që i imponon kryeministri i plotfuqishëm edhe pse kjo valle është poshtëruese dhe i rrënon personalitetin e tij. Ky është ndryshimi i vetëm me personazhin balzakian Xha Gorio (Père Goriot), plaku Gorio shkrinte pasurinë për vajzat e tija të padenja, ndërsa Berisha po shkrin dinjitetin për fëmijët e tij të padenjë.
Edi Rama po u bën të qartë amerikanëve se ai nuk ka ndërmend ta dorëzojë kokën e tij në sini. Ai e di që nuk goditet për sa kohë mban postin e kryeministrit. Kjo është praktikë perëndimore. Shumë kryeministra perëndimorë kanë kaluar në proces penal. Disa prej tyre edhe janë dënuar. Por në asnjë rast nuk ka proces penal ndaj një kryeministri në detyrë, sepse vota popullore prevalon edhe mbi drejtësinë. Ndaj kryeministri është kapur me thonj pas pushtetit. Ai nuk do pushtet thjesht për ambicje. Ai do pushtet për të garantuar lirinë e tij. Ndërkohë realiteti politik ndërkombëtar mund të ndryshojë. Në SHBA mund të zgjidhet Trump, i cili përveçse ka pak ndjeshmëri ndaj çështjeve të drejtësisë (viktimë e së cilës është dhe ai vetë), por edhe mund të jetë dashamirës ndaj një kryeministri që përveç Sazanit dhe Zvërnecit, nuk do të linte qokë pa bërë ndaj familjes miliardere.
Problemi është se duke mos goditur dot një kryeministër në detyrë SPAK nuk vepron dot as ndaj personave që mund të marrin me vete kryeministrin. Erion Veliaj e kërcënoi hapur duke e cituar se ai nuk ishte përgjegjës për çfarë bënin vartësit pas shpinës së tij. Eksponentë të tjerë të lartë të maxhorancës nuk po goditen dot vetëm e vetëm se mund të marrin me vete kryeministrin. Xhaçka, Gjiknuri, apo zv kryeministrja në shtratin e krimit të organizuar, diskreditojnë reformën në drejtësi. Si mund t’u thuash opozitarëve shqiptarë se SPAK po godet balenat e opozitës, si Berisha dhe Meta, por nuk merret dot me ca ministra pa pikë peshe politike?
A do të përgjigjet superfuqia? A do t’i përulen ata kryeministrit të korruptuar shqiptar dhe të presin kohë më të mira për të çuar përpara axhendat e tyre në këtë cep të globit? A mjafton një pjesë e SPAK që ata kontrollojnë për të ndryshuar realitetin në Shqipërinë e zhytur thellë në llum e korrupsion? Apo përplasja Rama-SHBA do të shpërthejë më në fund në sipërfaqe. E ardhmja e afërt do të na i japë këto përgjigje.
Çfarë ka ndodhur në Ballkan nuk është vendosur kurrë në Ballkan. Ballkani është shumë i vogël për të vendosur për fatin e tij. Fati i gadishullit është vendosur gjithmonë në tavolinat e superfuqive. Në fundshekullin e kaluar pati një burrë që u përpoq ta ndryshonte këtë realitet. Quhej Sllobodan Millosheviç. Të gjithë e dimë fatin e tij…