Një ditë më parë kryetarja e Kuvendit Lindia Nikolla njoftoi se nuk ka arsyet që t’i hiqet mandati i deputetit Sali Berishës. Sot avokati Idajet Beqiri i ftuar në emisionin “Intervista e ditës” në DritareTV tha se edhe pse e ka mandatin, Berisha nuk do të shkojë më kurrë në Parlament. Avokati tha që në korrik, Berisha do të dalë në gjyq për aferën Partizani dhe do të marrë dënimin e merituar.
“Berisha nuk del dot të shkojë në Parlament. Nuk e ushtron dot funksionin e deputetit. Ai është një person nën hetim. Afera e kompleksit Partizani është e mbyllur dhe për punë ditësh ai do shkojë në gjyq për këtë çështje. Do marrë dënimin e merituar për këtë korrupsion të hapur që bëri.
Mori një pasuri publike të shqiptarëve dhe ia dha dhëndrit të tij. Kur të marrë dënimin për korrupsionin pasiv ai i merr të keqen parlamentit sepse sa të jetë jeta nuk futet më në Parlamentin e Shqipërisë. Shqiptarët duhet të dinë një gjë, që Sali Berishën nuk e kanë më në politikë është një kufomë politike.
Problemi është që shqiptarët duhet të mos pushojnë, zëri i tyre duhet të jetë shumë herë më i fuqishëm, të shtohen zërat kallëzues, sepse Berisha nuk duhet t’i marrë krimet në varr, por duhet të venë në SPAK, që në fund Berisha të dënohet.”, tha avokat Beqiri