Në rrjet njihet si Shevali 007, dhe midis të rinjve ka krijuar një lloj emri, kryesisht te ata të cilët tërhiqen nga historitë e vrasjeve, trafiqet e drogës dhe jeta luksoze.
Bëhet fjalë për Sheval Muaremin, i cili është shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veritu, me akuzën se është pjesë e një grupi kriminal që merret me trafikun e kokainës dhe të përfshirë në vepra të tjera të rënda si vrasje.
Emri i Shevalit është përfolur edhe për vrasjen e Shyqyri Beut, i njohur si “Riku Beu” nga Kavaja, i cili u gjet i pajetë i groposur në vitin 2020 në Maqedoninë e Veriut, vend ku dyshohet se kishte nisur të kryente trafikun e drogës.
Sheval Muaremi akuzohet se së bashku me Orhan Bajramin, i vrarë në Greqi, dhe Jeton Krivanjevën i vrarë në “Shisha Bar” në Shkup kanë ngritur një grup të strukturuar kriminal që merrej me vrasje dhe trafik të kokainës nga vendet e Amerikës Latine.
Sipas policisë, në vitin 2021 nga ky grup është vrarë Afrim Berisha dhe Burim Vardari, ndërsa në vitin 2020 është vrarë një shtetas i Shqipërisë.
Disa nga vrajset janë zbuluar pas çkodimit të mesazheve në telefonat e “SKY ECC” nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut.
Në të paktën një rast grupi i Shevalit raportohet se ka transportuar dy ngarkesa të mëdha kokaine, e para 435 kilogram nga Brazili, përmes Belgjikës dhe ka arritur në Maqedoni të Veriut dhe e dyta nga Peru në Amsterdam dhe është futur në tregun vendas.
Shevali, si shumë kriminelë të tjerë shqiptarë fshihet në “parajsën” e Lindjes së Mesme, Dubai.
Ai nuk ngurron të reklamojë jetën e luksit me makina të shtrenjta, ora që thonë se shkojnë deri në 5 milionë euro por edhe shoqërinë me figura të shoëbizit, politikës dhe kolegë të botës së krimit.
Shevali është parë në shoqërinë e Bes Kallakut, ish-presidentit Ilir Meta dhe trafikantit të kokainës i njohur si “boli”, Ervin Mata.
Personalitete të politikës nga Maqedonia e Veriut deri në Kosovë gjithashtu janë pjesë fotoalbumeve të Shevalit. Shevali shfaqet në Dubai edhe krah Roan Brahimit, i njohur si Sidi, i cili fshihej në Dubai dhe u ekzekutua vetëm pak kohë më parë në Greqi.
Duke marrë parasysh shoqërinë e Shevalit, ai mund të konsiderohet si pjesë e grupeve rivale të Ervis Martinajt.