Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme mesditën e sotme.
Pas dy orë e gjysmë ka dalë dhe është shprehur: “Me vjen keq qe keni qendruar kaq gjatë! S’kam asgjë për të thënë! Mirupafshim!”
Saimir Tahiri ka mbërritur në ambientet e SPAK rreth orës 12:55 i shoqëruar nga avokati Maks Haxhia. Mësohet se ish-ministri është thirrur për t’u marrë në pyetje pasi ndaj tij ka nisur një hetim pasuror.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u lirua nga qelia më 2 qershor 2023, pas më shumë se një viti në burg.
Në një artikull të publikuar media investigative BIRN, shkruante se ndërsa Tahiri vuante vuante dënimin në burg për shpërdorim detyre, bashkëshortja e tij ngriti një perandori të vogël biznesi me investime në sektorin e turizmit, estetikës, ndërtimit dhe transportit detar, duke përmendur edhe ‘Eagle Residence’ pranë ish-sheshit ‘Shqiponja’ në Tiranë.
Investimet e familjes së tij, gjatë kohës që ish-ministri ishte në qeli tërhoqën vëmendjen e SPAK që nisën hetim ndaj të gjitha pasurive të Saimir Tahirit, si edhe të afërmve të tij apo personave të lidhur me të.
Megjithatë ish-ministri, ka pretenduar se sipërmarrjet e bashkëshortes janë mbështetur në prona të trashëguara nga prindërit dhe kredimarrje nga banka.
“Trualli ku po zhvillohet ndërtimi, është truall i trashëguar brez pas brezi i familjes së gruas time”, tha Tahiri në një përgjigje për median investigative, duke shtuar se vjehrri i tij kishte lindur në tokën ku po ndërtohej pallati.