“Paga e një mësuesi në gjimnaze, me mesatarisht 15 vite punë, shkon në 98,500 lekë/muaj. Me politikën e re të pagave është dyfishuar pagesa për kualifikim për kategoritë “Mësues i kualifikuar” dhe “Mësues specialist” dhe duke e rritur me 50% për kategorinë “Mësues mjeshtër”.
Tiranë, 28 Qershor- Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, bashkëbisedoi me mësuesit e gjimnazit “Partizani” në Tiranë për rritjen historike të pagave.
“Nga data 1 korrik do të kemi rritjen e premtuar të pagave për rreth 30 mijë mësues të sistemit tonë arsimor. Rritja është historike, nëse do të marrim të gjithë rritjet e pagave, kjo është më e larta. Do të kemi mesatarisht një rritje page mujore rreth 180 euro në muaj dhe nëse do ta konvertonim në paga vjetore janë rreth 3 paga më shumë që do të përfitojnë mësuesit”, tha Ministrja Ogerta Manastirliu.
Mesatarisht paga e mësuesve rritet me 18 mijë lekë të reja/muaj, duke e çuar pagën mesatare të mësuesve 950 euro. Kjo rritje e pagave është incentivuese për mësuesit e rinj për ta bërë mësuesinë një profesion që do të zgjidhet edhe më shumë nga brezi i ri.
“Është një premtim i mbajtur për të rritur motivimin, për të mundësuar rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe sigurisht për të rritur edhe interesin e të rinjve për të shkuar drejt degëve të mësuesisë, sepse me një pagë më të lartë, më të mirë, më stimuluese, intertesi do të jetë dhe më i lartë për të ndjekur lëndët e mësuesisë për të rinjtë, për t’u bërë mësuesit e së nesërmes”, tha Ministrja Manastirliu.
Në takimin me mësuesit e arsimit të mesëm të lartë, Manastirliu tha se për mësuesit e arsimit të mesëm të lartë, me kualifikimin, pozicionin dhe një vjetërsi prej mesatarisht 15 vite, paga shkon në 98,500 lekë/muaj. Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se është rritur edhe masa e shpërblimit për mësuesit sipas kategorisë së kualifikimit, duke dyfishuar pagesën për kualifikimin për kategoritë ‘Mësues i kualifikuar” dhe “Mësues specialist” dhe duke e rritur me 50% për kategorinë “Mësues mjeshtër”.
Politika e re e pagave të arsimit parauniversitar ka për qëllim realizimin e rritjes e pagave për mësuesit, për punonjësit e shërbimit psiko-social, oficerët e sigurisë në shkolla dhe për punonjësit e tjerë jo mësimorë, që shërbejnë në institucionet arsimore dhe në ato plotësuese, të sistemit arsimor parauniversitar.