Tiranë, 5 Qershor – Për herë të parë në Tiranë ka nisur sot Konferenca 3-ditore e Rrjetit Parlamentar “Gra të lira nga dhuna”, e bashkë-organizuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Kuvendi i Shqipërisë, me iniciativën e Etilda Gjonajt, Raportuese e Përgjithshme e Dhunës ndaj Grave në APKiE dhe njëkohësisht Drejtuese e Rrjetit “Gra të lira nga dhuna”, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për arritjen e barazisë gjinore dhe luftën kundër formave të ndryshme të dhunës ndaj grave, me fokus të veçantë tek dhuna psikologjike dhe ajo online.

Në ditën e parë të kësaj konference morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, Dr. Linda Rama, Këshilltare e Lartë e Politikave Publike dhe Aktiviste e Shoqërisë Civile, si dhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Ministrave, përfaqësues nga AP e KiE, shoqëria civile etj. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e arsimit në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.

“Edukimi është aleati kyç në luftën kundër dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave, përfshirë këtu të gjitha format e dhunës, sikurse është dhe dhuna psikologjike dhe ajo online.”, tha Ministrja Manastiriu.
Ajo theksoi gjithashtu se Ministria e Arsimit dhe Sportit e ka si prioritet edukimin digjital dhe mediatik në shkolla.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe qeveria shqiptare ka prioritet absolut edukimin digjital dhe atij mediatik në shkolla. Ndryshimeve që korniza kurrikulare do të pësojë në kurikulën bërthamë sa i përket edukimit digjital dhe mediatik janë shumë të rëndësishme. Kurrikula do të pasurohet me module të reja për edukimin digjital dhe mediatik, të cilat janë shumë të rëndësishme për ndërgjegjësimin dhe informimin e të rinjve.”, tha Manastirliu.

Në Konferencën e Rrjetit Parlamentar “Gra të lira nga dhuna” marrin pjesë 55 delegatë të huaj, ndër ta 30 deputetë nga 46 shtete anëtare të Këshillit të Europës, përfshirë Austrinë, Norvegjinë, Italinë, Holandën, Spanjën dhe Portugalinë.