Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli ka deklaruar në emisionin “Ekspres” në RTSH1 se Italia nuk po merr asnjë tokë shqiptare ndryshe nga sa është aluduar pas marrëveshjes për emigrantët të arritur midis dy vendeve. Kodheli tha se marrëveshja për pritjen e emigrantëve dhe ngritja e qendrave për strehimin e tyre në Gjadër dhe Shëngjin nuk është si marrëveshjet e qeverisë Berisha dikur që i falte hapësirën detare, shtetit grek.
“Kemi pasur ca marrëveshje që i kemi dorëzuar territore detare një vendi fqinj. Jo s’do dorëzohet asnjë territor, territori do rrijë aty ku është. Dhe është gjithmonë i joni”, u shpreh Kodheli.
Ajo tha se nënshkrimin e marrëveshjes me Italinë për mikpritjen e emigrantëve, Shqipëria rreshtohet në anën e duhur të historisë.
“Ne si Shqipëri s’duhet të futemi në konsumin e politikës së ditës italiane. Pavarësisht mundësive tona të vogla për të mirëpritur një program të tillë, ne kemi demonstruar vullnetin tonë të mirë dhe të qenit në anën e drejtë të historisë.
Këtë gjë e kemi demonstruar sot, sidomos në një vend si Italia, e cila është vendi në krye të listës në mbështetje të të gjitha proceseve integruese. Italia është një fqinj i mirë dhe një partner strategjik”, tha Kodheli.
Kodheli vuri në dukje se Europa sot dhe bota po përballet me fenomenin e emigracionit të paligjshëm dhe kjo ka marrë më shumë vëmendje kur BE është në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
“Kemi bërë një veprim sublim, kemi asistuar dhe po ndihmojnë Italinë t’i japë zgjidhje dhe t’i hapë rrugë një modeli, e bën këtë projekt të rëndësishëm. Europa përballet me një problem të madh që është ai i emigracionit të paligjshëm që është rikthyer në vëmendje edhe si pasojë e fushatës elektorale. Kjo i ndan akoma më shumë të majtët dhe të djathtët dhe qendërzon pak forca politike. Perëndimi është aktor dhe faktor i kësaj disbalance që bota ka sot”, shpjegoi Kodheli.
Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme shtoi se nëse modeli shqiptar do të funksionojë atëherë mund të pasohet edhe nga vendet e tjera.
“Nëse ky model do të funksionojë, besoj se do të jetë një model që do të përsëritet edhe pse Shqipëria e bën së pari këtë dhe ka guximin ta bëjë këtë gjë. Pa e ditur se sa i suksesshëm do të jetë ky model, unë them që vlen dhe meriton një duartrokitje të madhe”, nënvizoi Kodheli.