Ditën e sotme Gjykata e Apelit ka marrë vendimin në lidhje me vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Në vendimin e marrë nga Apeli, vula dhe logoja e PD-së i kalojnë komisionit të Rithemelimit dhe kryetar ligjitim i PD-së është Sali Berisha.
Gjykata e Apelit vendosi mospranimin e ankimimimit të Enkelejd Alibeajt duke mos e quajtur atë palë në këtë proces. Pas vendimit deputeti Lulzim Basha ka mbledhur për më shumë se dy orë strukturat partiake. Në përfundim të takimit, Basha tha se do të zhvillohet edhe mbledhje e Kolegjit të kryetarëve. Ai nuk bëri asgjë të ditur në lidhje me ndonjë vendimmarrje.
“Kemi ecur me mbledhjen e kryesisë, por nuk e kemi përfunduar. Do ti bashkohemi kolegjit të kryetarëve. Gjithçka që ju thashë kur hyra vazhdon të qëndrojë. Do vazhdojmë takimet me kolegjin e kryetarëve dhe kryesinë”, tha Basha.
Basha më herët deklaroi se beteja nuk bëhet për vulën, logon apo karrigen, por për idealet e demokratëve dhe shqiptarëve, që duan një Shqipëri më të mirë. Basha nuk komentoi vendimin e Gjykatës së Apelit, por paralajmëroi se çështja mund të shkojë në Gjykatën e Lartë, duke shfrytëzuar kështu mundësinë për të apeluar vendimin brenda 5 ditëve.