Ankandi është mbyllur… Fanela e Nedim Bajramit u shit për 5.792 euro.
Është ky rezultati përfundimtar i ankandit të hapur pas ndeshjes së parë me Italinë, ku u nxorrën në shitje të gjitha fanelat e kuqezinjve të Kombëtares shqiptare për atë ndeshje. Fanela e dytë më e shitur ishte ajo e Armando Brojës, që kapi vlerën 825 euro.
Nedim Bajrami hyri në historinë e Kampionatit Evropian me golin e shënuar ndaj Italisë, në ndeshjen debutuese të Shqipërisë në eventin e “Euro 2024” që po zhvillohet në Gjermani.
Lojtarit të Sassuolos i mjaftuan 23 sekonda lojë për të dërguar topin në rrjetë: askush në historinë e Evropianit nuk kishte shënuar një gol më të shpejtë. 25-vjeçari kuqezi, i lindur në Zyrih, është pa dyshim “ylli” i momentit i Kombëtares shqiptare.