Një 41-vjeçar shqiptar është shpallur në kërkim nga policia greke, pasi ka dhunuar dhe kërcënuar se do të vrasë ish-bashkëshorten e tij, me të cilën ka edhe 4 fëmijë.
Mediat greke raportojnë se çifti janë ndarë rreth një viti e gjysmë më parë, por shqiptari kishte vijuar ta kërcënonte ish-gruan, madje dhe me armë në sy të fëmijëve.
Së fundmi shqiptari ka sulmuar për herë të dytë ish-gruan e tij, duke e përplasur me makinë teksa ajo kthehej nga puna me motor.
35-vjeçarja ka treguar për mediat greke momentet e tmerrit. Ajo është shprehur se po kthehej në shtëpi me motorin e saj, kur papritmas pa një makinë që po vinte drejt saj. Pasi e ka goditur me grusht dhe e ka hedhur në asfalt, 41-vjeçari ka nisur ta shajë ndërsa ajo ka bërë sikur i ka rënë të fikët.
“Më pas, ai e goditi në shpinë, e tërhoqi për flokë dhe menjëherë më pas e kapi nga qafa. Në gjendje shoku, gruaja tentoi ta largonte dhe t’i hiqte gishtat nga qafa, ndërsa për fat në vendngjarje ndodhi një shoqe e saj, e cila e ndihmoi të shpëtonte nga duart e 41-vjeçarit. Nga gjendja e saj e rënduar, gruaja është kthyer në shtëpi në këmbë dhe ka braktisur motoçikletën e saj në vendngjarje, ndërsa ish-bashkëshorti është zhdukur që prej asaj nate”, shkruajnë mediat greke.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur në Nea Malgara të Selanikut, por kjo nuk ishte hera e parë që gruaja ishte viktimë e dhunës në familje nga ky burrë.
Sipas viktimës, rreth një vit e gjysmë më parë kur u nda me 41-vjeçarin, ai doli nga shtëpia dhe pak kohë më vonë e kërcënoi me armë, ndërsa nuk hezitoi të qëllonte para syve të katër fëmijë të mitur, fatmirësisht pa e lënduar.
Pas incidentit të parë të dhunës në familje, 41-vjeçari me origjinë shqiptare u zhduk prej muajsh, por së fundmi filloi të kërcënonte sërish.
Sipas avokates së viktimës, Anastasia Vafeidou, autoritetet ende nuk kanë arritur të lokalizojnë 41-vjeçarin, pasi ai vazhdon të kërcënojë viktimën nëpërmjet palëve të treta dhe të afërmve të saj.
“Frika e klientes sime për veten dhe katër fëmijët e tyre të mitur është e vazhdueshme. Duke pasur besim te drejtësia greke, kërkojmë identifikimin e autorit”, tha avokatia.
Mësohet se viktima ka bërë padi ndaj 41-vjeçarit dhe efektivët e Departamentit të Dhunës në Familje të Kullës së Bardhë i kanë vendosur butonin e panikut në celularin e saj.