Në Beograd fillon festivali “Mirëdita, dobar dan”. Pse janë rikthyer tensionet këtë vit? Autoritetet serbe nuk e duan këtë festival. Po pse?
Ndonëse në vitin 2022, kur festivali “Mirëdita, dobar dan” kaloi i qetë në Beograd, tensionet që shpesh e shoqëronin këtë ngjarje dukeshin sikur u zhdukën në Serbi, vendimi i organizatorëve për përfshirjen e 28 qershorit në këtë festival, pra të ditës së “Vidovdanit”, ka acaruar autoritetet serbe.
Reaguan disa përfaqësues të lartë të qeverisë në Serbi, ndër të cilët Aleksandar Vulin, i cili tha se mbajtja e festivalit më 28 qershor është një “fyerje së cilës duhet t’i përgjigjet shteti i Serbisë”. Reagoi edhe kryetari i bashkisë së Beogradit Aleksandar Shapiq, i cili theksoi se qyteti e Beogradit nuk do të japë asnjë pëlqim për mbajtjen e këtij festivali.
Për ministren në qeverinë e Serbisë, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, është e papranueshme që të mbahet një tubim në Vidovdan, i cili, sipas saj, përfaqëson regjimin e Albin Kurtit.
“Vidovdani nuk ka lidhje me këtë festival. Çfarë do të thotë kjo – se kur është Vidovdan, asgjë tjetër nuk mund të organizohet? Sigurisht që mundet”, thotë historiani Milovan Pisari.
“Problemi për autoritetet në Beograd, por edhe për autoritetet në Prishtinë, është se po organizohet dialogu mes serbëve dhe shqiptarëve. Vidovdani përdoret për të riaktualizuar narrativën nacionaliste, që i ndan njerëzit.” Deklaratat e politikanëve nuk kanë të bëjnë me festivalin dhe as me mesazhet që ai dërgon, të cilat janë mesazhe pajtimi dhe bashkëpunimi mes dy popujve”, thotë Pisari për DW.
Mos lejoni përvetësimin e “Vidovdanit”
Meqenëse ministri i Punëve të Brendshme Ivica Daçiq deklaroi, se do të ishte mirë që festivali të anulohej, organizatorët – Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, iniciativat qytetare dhe organizata Integra nga Kosova – vendosën që të shtyjnë të gjitha ngjarjet publike të festivalit, të planifikuara për datën 28 qershor, për një ditë.
Bashkëpunëtorja e Institutit për Historinë e Re të Serbisë në Beograd, Olga Manojloviq Pintar, thekson se “qarqet më shkatërruese të krahut të djathtë” nuk duhet të lejohen të përvetësojnë Vidovdanin.