Arben Ahmetaj, ish-zv.Kryeministër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, rezulton se ka përdorur dy identitete. Kjo të paktën referuar dosjes hetimore, që SPAK ka për ish-zv.Kryeministrin, i cli është marrë i pandehur për akuzat e korrupsionit, fshehjes së pasurisë e pastrimit të parave.
Më konkretisht, referuar të dhënave hetimore të SPAK, në raportin e datës 10 tetor 2023, theksohet se shtetasi Arben Ahmetaj ka një identitet të dytë (Alias) në bazat e të dhënave të policisë me të njëjtin emër dhe mbiemër, por ka ditëlindjen 27 qershor 1969 në vend të datës 28 qershor, bën të ditur gazetarja e News24, Klodiana Lala.
Këto të dhëna SPAK i ka siguruar nga autoritetet zviceriane, të cilat iu përgjigjën një letërporosie të drejtësisë shqiptare dy muaj pasi ndaj Arben Ahmetaj ishte caktuar masa e sigurimit “arrest me burg”.
Një detaj interesant në dosje është ai që bën fjalë se si ish-zv.Kryeministri kishte shpenzuar brenda 1 nate mbi 93 mijë euro në një kazino.
“Shtetasi Arben Ahmetaj që prej datës 20 shtator 2023 ka statusin e azilkërkuesit në Zvicër dhe është mbajtës i lejes së qëndrimit të vlefshme deri në datë 9 janar 2024, i cili mban të njëjtën adresë me shtetasen Erjola Hoxha”, thuhet në letërporosinë e mbërritur nga Zvicra.
Në raportin e hetimit jepeshin të dhëna për adresën ku jetonte Ahmetaj me bashkëjetuesen dhe vajzën e mitur, punën e re që kishte nisur bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha dhe fakti që ajo paguhej mbi 9 mijë franga zviceriane në muaj.
SPAK ka dërguar në Zvicër kërkesa për ekstradimin e ish numrit dy të qeverisë, por nuk ka një përgjigje për vendimmarrjen, pasi njëherazi po shqyrtohet si kërkesa e tyre, ashu edhe ajo e Ahmetajt për azil politik.
Në dosjen hetimore relatohen edhe fakte të tjera, sipas të cilave Arben Ahmetaj ka shpenzuar vetëm brenda një natë në një kazino në Maltë shumën prej 93 mijë e 500 eurosh të dhëna të vëna në dospozicion nga autoritetet e drejtësisë atje.
Në të njëjtën kazino rezulton të jetë i regjistruar dhe biznesmeni Mirel Mërtiri si dhe kunati i Arben Ahmetaj.
Aktualisht Arben Ahmetaj po vijon përballjen me drejtësinë në Zvicër për të fituar statusin e azilantit, ndërsa ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryeministrit.
Bashkë me të, të pandehur janë marrë dhe ish gruaja e tij, si dhe dy bosët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto që të dy në arrati. Ahmetaj sipas SPAK ka përfituar shuma të konsiderueshme parash në formën e dhuratave nga pronarët de fakto të inceneratorit të Tiranës, ndërkohë që ata fitonin koncesione e tendera.