Opozita ka kohë edhe këtë javë të vendosë nëse do t’i zërë apo jo vendet e saj në tryezën e komisionit për “Dezinformim”, për t’u mos përsëritur ajo që ndodhi në komisionin anti-korrupsion që tashmë ka nisur nga puna.
I pyetur nga Report tv, kryetari i komisionit, socialisti Erion Braçe thotë se PD-ja, zyrtarisht tashmë e Sali Berishës duhet të vendosë, pasi puna me ose pa ta duket se do të nisë së shpejti.
“Presim të plotësohet komisioni me anëtarë të PD që ka për kryetar Sali Berishën. Nuk e humb durimin. Do t’i pres dhe këtë javë që e kanë të lirë për të menduar”, u shpreh Braçe.
I pyetur nëse ai si kryetar i Komisionit është ulur me përfaqësues të opozitës, për të diskutuar pjesëmarrjen ose jo në tryezën e punë, Braçe lë të kuptohet, se i vetmi që mund të marrë vendime është Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit.
“Me vendim gjykate zoti Berisha e ka të ndaluar të flasë me ndokënd, përfshi edhe mua”, tha Braçe.
Opozita nuk e votoi ngritjen e Komisionit të dezinformimit dhe as përbërjen e tij, me skepticizmin se kjo nismë e socialistëve do të cenojë lirinë e medias. Të vetmit nga opozita që kanë konfirmuar pjesëmarrjen për Report tv, janë Fatmir Mediu nga grupi “Aleanca për Ndryshim” dhe Mesila Doda nga grupi për Demokraci dhe Integrim, ndërsa 3 vende të tjera mbeten ende bosh në pritje për t’u plotësuar nga PD-ja e Sali Berishës.
Socialistët i kanë plotësuar 6 vendet e tyre me Kryetar Erion Braçen dhe anëtarë Bledi Çuçi, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Enslemvera Zake dhe Etilda Gjonaj.
Ngritja e Komisionit të Dezinformimit erdhi si propozim i socialistëve me firmat e 7 deputetëve, kërkesë që sipas tyre ndjek të njëjtën linjë me vendet perëndimore dhe Parlamentin Evropian në luftën kundër dezinformimin dhe ndërhyrjen nga vendet e huaja.
Puna e komisionit do të ketë një afat 1-vjeçar me fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.