Ditën e sotme Policia e Kosovës në një aksion së bashku me Agjencinë Kosovare të Intelegjencës, ka arrestuar dy persona nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA), shkruan Periskopi.

Njëri prej tyre është Bedri Shabani nga Ferizaj i cili punonte në Doganën e Kosovës.

Periskopi mëson se Shabani është babai i gazetarit Zekirja Shabani i cili është pronar i portalit “Fakte plus”, ndërsa deri në vitin e kaluar ishte edhe redaktor në televizionin ATV.

Zekirja Shabani ka qenë mjaft aktiv në fushatën elekorale të Maqedonisë së Veriut, në mbështetje të VLEN’it.

Ai ka përgatitur fushatën zgjedhore për Afrim Gashin i cili u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me arrestimin e Bedri Shabanit ka reaguar edhe Dogana e Kosovës, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se ai është larguar nga pozita e tij në Doganë në vitin 2004.

Sipas njoftimit, shkarkimi i Shabanit erdhi për për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.

“Prishtinë 5 qershor 2024, në lidhje me arrestimin e dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin për aktivitete spiunazhi, Dogana e Kosovës sqaron opinionin se personi i cituar me inicialet B.Sh. është pushuar nga pozita e tij në Doganën e Kosovës 20 vite më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004. Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës.”– thuhet në njoftim