Jehona e paraqitjes së dobët të Joe Bidenit në debatin presidencial përballë rivalit Donald Trump, vazhdon.
Në diskutime jashtë përfshirë së fundi edhe diplomatë të huaj, të cilët shprehën tronditje për episodin, e ngrenë pyetje mbi pasojat që mund të kishte në këtë pikë rizgjedhja e 81-vjeçarit në krye të Shtëpisë së Baardhë.
“Ndjesia dërrmuese në mesin e mbi një gjysmë duzine diplomatësh nga Europa, Lindja e Mesme dhe Azia me të cilët foli CNN ishte se kjo mund të kategorizohet padyshim si një “natë e keqe për Biden”.
“Realiteti i trishtë është se Joe Bideni është i moshuar, dhe ai, sa vjen e po plaket edhe më shumë. Këtë e pamë të gjithë. Kisha vështirësi të kuptoja se çfarë po thoshte dhe unë anglishten e njoh shumë mirë”, tha një diplomat europian për CNN.
“U shokova. Nuk po i besoja dot syve”, u shpreh për gjigandin mediatik amerikan edhe një diplomat aziatik. Trumpi e hengre te gjalle, u shpreh nje diplomat arab.
Dështimi i Bidenit në këtë debat ishte lajm dite në të gjithë Europën, vazhdon CNN, që vëren sesi presidenti i SHBA-së është kryqëzuar pa dallim nga gazeta me prirje të majtë e të djathtë– madje edhe në Francë, një vend që ndërkohë përgatitet edhe për zgjedhjet e veta të përgjithshme këtë fundjavë.
Hezitimet e Joe Bidenit dhe komentet e zbehta kanë ushqyer frikën edhe të vetë anëtarëve të partisë së tij lidhur me mundësinë reale që 81-vjeçarit t`i besohet drejtimi i SHBA-së edhe për katër vite të tjera.
Vetë insistoi sidoqoftë gjatë një mitingu në Karolinën e Veriut se “nuk debaton më aq mirë si dikur”, por tentoi t`i davarisë frikërat duke theksuar se di sesa ta bëjë këtë punë.
“Mundësia e zgjedhjes në këto presidenciale, nuk është aspak e vështirë. Donald Trump-i do ta shkatërrojë demokracinë tonë. Unë do ta mbroj”, tha Biden.
Sakaq kanë nisur diskutimet edhe për një zëvendësim të mundshëm të tij. Sipas VOA-s megjithatë, do të duhej të ndodhnin disa gjëra për të mundësuar një tranzicion pa probleme.
Biden duhet të tërhiqet me vullnetin e tij e ai nuk ka treguar shenja për këtë. Por edhe nëse do të tërhiqej, delegatët do të duhet të ritovonin kandidatin e ri gjatë Konventës Kombëtare Demokrate, por në këtë pikë procesi do të vështirësohej e zvarritej, ndërsa demokratët do të gjendeshin nën trysninë e afateve për të siguruar regjistrimin e kandidatit të tyre të ri në zgjedhjet në të 50 shtetet amerikane.