Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po përfaqëson vendin në Samitin e Paqes për Ukrainën, u shpreh se në këtë iniciativë do të tregojë se si Kosova është ndërtuar nga zeroja. “Si një shtet që ka vuajtur shumë, si një shtet që ka sakrifikuar shumë, megjithatë jemi shndërruar në një model të demokracisë”, ka thënë ajo në një video-adresim të publikuar në platformën e saj sociale, Facebook. Osmani ndërsa ka potencuar se ky samit ka një rëndësi të jashtëzakonshëm, ka vlerësuar se në këtë iniciativë nuk mjafton që thjesht paqja “të shihet si një koncept i izoluar”.
“Paqja në masë të madhe varet edhe nga drejtësia, drejtësia për viktimat, për ata që kanë vuajtur më së shumti gjatë luftës. Si Kosovë ne i bashkohemi thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë përpara konceptin e paqes së drejtë, pra paqes së ndërlidhur me drejtësinë për viktimat që kanë vuajtur gjatë luftës”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë Osmani, gjatë qëndrimit në Zvicër në kuadër të margjinave të Samitit të Paqes për Ukrainën, ka njoftuar se të shtunën ka takuar presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatovic, me të cilën ka biseduar për koordinimin në mbrojtjen e paqes.
“Në kuadër të Samitit të Paqës për Ukrainën, me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović diskutuam për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes”, ka njoftuar presidentja. Në këtë samit liderët botëror do të diskutojnë për rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën.
Osmani gjatë samitit pritet ta riafirmojë përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.