Një zjarr ka shpërthyer në “Ikonën e deteve”, anijen më të madhe të lundrimit në botë, duke bërë që ajo të humbasë energjinë ndërsa ishte ankoruar në Meksikë.
Sipas mediave të huaja, askush nuk u lëndua nga zjarri i përmasave të vogla që shpërtheu ditën e djeshme. “Ikona e deteve”, e cila është pothuajse 365 metra e gjatë dhe peshon 250,000 tonë, ishte ankoruar në Costa Maya, Meksikë kur ndodhi incidenti. Anija humbi energjinë për pak kohë, por sistemi i energjisë rezervë u aktivizua menjëherë. Flakët kanë nisur në zonën e ekuipazhit të anijes, por ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Gjatë incidentit, njoftimet në bord paralajmëruan pasagjerët për atë që po ndodhte, sipas kompanisë. Përdoruesit e rrjeteve sociale raportuan në Facebook se kishte një shqetësim të lehtë , por gjithçka u kthye shpejt në normalitet dhe udhëtimi vazhdoi. Kjo anije e veçantë turistike mund të transportojë pothuajse 10,000 njerëz. Ka 20 kuverta, parkun e vet ujor dhe madje një ujëvarë të brendshme 17 metra.