Nga Mero Baze
Gjithë kriza e Partisë Demokratike erdhi nga vendimi i Lulzim Bashës për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar. Gjithçka nisi prej atij vendimi, që ishte një shenjë lojaliteti ndaj SHBA për vendimin e shpalljes “non grata” të Sali Berishës, nën akuzë për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazhues të sistemit të drejtësisë.
Pas gati tre vjetësh betejë brenda tyre, vula u rikthye në duart e Sali Berishës.
Që kriza të përmbyllet, duhet që tani kryetari i PD, Sali Berisha, të mbledhë grupin parlamentar dhe të komunikojë kthimin e tij si anëtar në Grupin parlamentar.
Këtë vendim duhet ta kishte marrë në fakt një orë pasi fitoi gjyqin, por nuk e kanë marrë.
Përkundrazi, i kërkojnë Lindita Nikollës ta marrë, ndërkohë që ajo nuk ka asgjë në dorë në këtë mes, pasi është vendim politik i partisë.
Ndërkohë para tyre, ka folur sërish SHBA, duke deklaruar se nuk bashkëpunojnë me Sali Berishën, çka i bie që nuk bashkëpunojnë më me Partinë Demokratike që ai ka uzurpuar zyrtarisht.
Sidoqoftë PD duhet t’i shkojë trimërisë deri në fund.
Ata duhet të mblidhen, duhet të marrin vendimin formalisht që Berisha është deputet i tyre, dhe të vazhdojnë luftën për të fituar pushtetin.
Arsyetimet që po përdorin nën zë se Berishës duan t’i djegin mandatin apo që nuk e konsumon mandatin se është në arrest shtëpie, janë të dobëta. Atyre nuk u duhet mandati fizik i Berishës, po mandati moral. Dhe atë duhet ta marrin.
Nuk mendoj se në këto raste i mungon trimëria Flamur Nokës apo të tjerëve si ai që janë aty.
Thjeshtë duhet ta bëjnë, pasi kjo e vulos zyrtarisht PD si një parti që drejtohet nga një “non grata” në SHBA dhe Britani të Madhe.
Shpresoj që do ta bëjnë shpejt. Në fund të fundit, nuk kanë pse tremben nga ata që u kanë thënë “do hani bar”. Kështu kuptohet qartë edhe përse për tre vite u përleshën e kacafytën me njëri- tjetrin, e pështynë dhe lëpinë njëri- tjetrin në surrat dhe më në fund janë të gjithë në dorë të atij që i bëri qesharak për tre vjet, me shpresë se do t’i fusë në lista përsëri.
Deri tani po përpiqen ta shmangin, bëjnë sikur nuk e kanë ata në dorë por dikush tjetër, dhe ja kërkojnë Lindita Nikollës.
Ata e kanë në dorë.
Të mblidhen dhe Gazment Bardhi të lexojë vendimin që Sali Berisha është anëtar i grupit parlamentar të PD. Madje socialistët kaq bashkëpunues sa janë, ashtu siç u dhanë vulën, e lënë dhe Berishën deputet, vetëm që të shijojnë këtë skenën e rikthimit, dhe ta kanë atë përballë si alternativë. Pastaj të vazhdojnë përpara betejën për të integruar Shqipërinë në BE, me “non grata”-n e Perëndimit në krye.