Ish-sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri, tha në MCN TV se është pro krijimit të një partie të re të djathtë, por sipas tij në drejtimin e saj duhet të vihet një grup nismëtar kolegjial për të shkuar në zgjedhje. Sipas Kullurit lëvizja politike ka nevojë për një lidership që krijon besim, që gjë sipas tij nuk është treguar në nivelin e duhur në këto 10 muaj, qëkurse Basha e drejtoi partinë. Kulluri është kundër përfshirjes të këtij grupimi te Berisha, duke theksuar se ky do ishte “një pazar i rëndomtë”.

Unë iu bashkova ftesës së z.Basha për të zhvilluar PD-në në ato principe që duhen mbështetur, që janë vota, debati, listat e hapura, një reformë kushtetuese dhe disa çështje identitare të PD. Fatkeqësisht ky projekt nën siglën e PD s’mund të vazhdojë më. Opinioni im do jetë gjithmonë personal, pa prishur asnjëherë interesat e PD dhe të djathtës, që unë s’i shoh me z.Berisha në krye të PD. Sepse shoh këtë model hipokrizie politike, këtë model të njëshit absolut në parti, gjë për të cilin isha edhe kundër z.Basha, kur merrte vendimet si Berisha në parti. Unë nga principet e mia nuk lëviz. Nuk ka më një Kryesi, një Këshill Kombëtar të PD, por ka një elektorat të qartë të provuar me 104 mijë vota me një fushatë më pak se gjysmake, çka tregon që potenciali që s’e voton z.Berisha, por duan një parti të djathtë serioze, që të bazohet te vlerat që përmenda më lart, është aty, nuk lëviz nga vula, por nga parimet. Ky është qëndrimi im dhe besoj i shumicës së Kryesisë, Kolegjit, anëtarësisë dhe votuesve të kësaj lëvizje politike.

Nuk duhet të marrim më vendime të nxituara. Z. Basha është një nga njerëzit që ka këtë pikëpamjen për të ardhmen e një partie të djathtë, nuk kemi asnjë vendim ende. Ta pjekim këtë çështje me maturi, me moral, me principe dhe inteligjencën politike që kërkon koha. Të shkosh te z.Berisha s’është as pragmatizëm, është një pazar i rëndomtë. Një lëvizje politike ka nevojë për një lidership që të krijojë besim. Fatkeqësisht në 10 muaj s’u tregua niveli i duhur i lidershipit, ndaj z.Basha, por mbase edhe nga ne të tjerët. Për të krijuar një model ndryshe nga Rama dhe Berisha, nuk qemë në gjendje mbase ta krijonim këtë diferencë morale dhe politike.

Unë jam për krijimin e një partie të djathtë, të qartë në qëllime, të qartë në politika, moralitetin politik, modelin, por ashtu siç mendoj që një gjë e provuar që s’funksionon s’mund të jetë e ardhmja për herë të tretë. Duhet të kemi një grup nismëtar, që të drejtojë partinë në mënyrë kolegjiale drejt zgjedhjeve të ardhshme për tre arsye. E para, të bindë këto 104 mijë vota që projekti duhet të vazhdojë. Unë s’e di nëse lidershipi aktual e garanton këtë ose jo. Njerëzit kanë marrë një goditje psikologjike për shkak të humbjes së gjyqit. Janë 150 mijë vota që s’e votojnë PD-në nga 2013-ta e këtej. Kjo votë gri s’është kthyer asnjëherë. Duhet të krijojmë besim edhe te partnerët ndërkombëtar, që s’kanë gjetur ende një partner të besueshëm te të dyja palët. Gjërat në këto 10 muaj janë bërë çka, dhe çkaja s’të jep entuziazëm. Duhet të ulemi së bashku me z.Basha dhe të gjejmë një formulë si do ecim përpara. Unë e kam konsideruar lapsus qëndrimin e z.Basha për bashkëpunimin me Berishën. Nëse Berisha tërhiqet nga kryetar partie, hap një garë reale, unë do isha i pari që do t’i bashkohesha një Rithemelimi real të PD-së”.