Teksa në Kuvend nisi seanca plenare, para godinës Rithemelimi dhe Partia e Lirisë mbajtën një protestë, e cila udhëhiqej nga Sali Lusha dhe Klevis Balliu.
Analisti i njohur Frrok Çupi theksoi se protesta e sotme dëshmoi se bëhej për një person dhe ai është Sali Berisha.
Sipas Çupit, po vjen dita kur Sali Berisha do duhet të dorëzojë mandatin e deputetit. Ai shtoi se mandati i tij e ka rrënuar Shqipërinë për tre dekada radhazi.
“Ata kanë agjendën e Berishës. Është shumë qartë, e vetmja gjë që kërkohet është Sali Berisha. Kjo që ndodhi sot m’u duk si një funeral i mandatit të Berishës. Po vjen dita kur Berisha duhet të dorëzojë mandatin dhe e gjitha ishte parafunerali i atij mandati, i cili për fatin e keq të Shqipërisë, ka rrënuar vendin prej 30 vjetësh. Një mandat i zgjatur, një mandat i lëshuar në mënyrë fatkeqe për vendi tonë dhe një mandat që po krijon trazira edhe kur po “vdes””, tha ai.
Ai shtoi se protesta e tyre nuk ka vlerë popullore dhe as qytetare.
“Po kërkohet shpëtimi i atij personi. Nuk ka vlerë popullore dhe qytetare, gjithashtu një protestë që nuk ka vlerë morale dhe ligjore. Rithemelimi nuk është parti dhe nuk mund të bëjë protesta të tilla”, theksoi Çupi në “Special Report”.