Fillimin e javës tjetër do të nisin provimet e maturës shtetërore. Këto janë provime kombëtare që i nënshtrohen të gjithë maturantët në mbyllje të shkollës së mesme, por njëkohësisht rezultatet e tyre janë shumë të rëndësishme edhe për hyrjen në universitet.
Zamira Gjini, drejtore e politikave arsimore: Janë rreth 28 mijë maturantë të cilët do i nënshtrohen Provimeve të Maturës Shtetërore. Provimi i parë i Maturës Shtetërore është në datën 3 Qershor, është provimi i gjuhës së huaj dhe janë marrë të gjitha masat nga Ministria e Arsimit dhe strukturat e varësisë së saj, për të siguruar një proces me standarde të larta administrimi.
Sipas drejtores së politikave të arsimit parauniversitar Zamira Gjini, ministria e arsimit i ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit të maturës. Edhe këtë vit provimet do bëhen në ambiente të mëdha.
Zamira Gjini, drejtore e politikave arsimore: Janë rreth 144 qendra provimi dhe do të administrohen nga 2700 punonjës arsimorë të të gjitha strukturave, të cilët janë angazhuar për të administruar, për të monitoruar procesin e Maturës Shtetërore. Do të ketë edhe qendra me hapësira të mëdha siç janë palestra, korridore dhe madje 70% e mjediseve do të monitorohen nga kamerat për të siguruar dhe për të pasur një proces administrimi sa më transparent.
Testi ka tre nivele vështirësie, ku nuk do të mungojnë as pyetjet me alternative dhe ato me zhvillim.
Zamira Gjini, drejtore e politikave arsimore: Testi do të jetë i njëjtit model, me ato nivele të pyetjeve, nivele të arritjeve të pyetje me 40% niveli më i ulët, 40% niveli mesatar dhe 20% niveli më i lartë i arritjeve. Në mënyrë të tillë që secili maturant të marrë dhe të gjejë veten sipas nivelit të arritjeve që ai ka, gjatë përgatitjes së tij në ciklin e arsimit të mesëm të lartë.
Provimet e maturës nisin në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Gjini u bëri dhe një apel maturantëve.
Zamira Gjini, drejtore e politikave arsimore: Maturantët dhe prindërit të bëjnë kujdes që të zbatojnë të gjitha rregullat e Maturës Shtetërore, i kanë të përcaktuara qartë sidomos për përdorimin e celularit. Të mos marrin celularët në ambientet ku zhvillohet Provimi i Maturës Shtetërore, sepse është e ndaluar rreptësisht përdorimi i tyre.
Pas provimit të gjuhës së huaj, më 10 qershor maturantët do ti nënshtrohen provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më pas më 18 Qershor do kenë matematikën ndërsa më 24 Qershor është provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje.