Publikohet një audio incizim në të cilin dëgjohen duke folur Srdjan Rosic dhe Bedri Shabani, ky i fundit i arrestuar në Kosovë si bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete serbe.
Ndonëse audio-ja është e censuruar vende-vende, duket qartë se Bedri Shabani, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me inteligjencën serbe, kërkon nga BIA që ta ndihmojë atë dhe njerëzit e tij për të kryer një punë.
“Çfarë mendoni?
A do të pyesni njerëzit tuaj nëse duhet ta shtyjnë atë apo nëse duhet të flenë?”, dëgjohet t’i thotë Shabani zyrtarit të BIA-s. Ndërkohë Rosiç i thotë se “do ta shtyjnë, por janë pak… presin të zgjohen…”.
Në vazhdim, Shabani thotë se “duhet të veprojmë kështu që dikush tjetër ta ngacmojë indirekt dhe pastaj t’i hedhim benzinë ??dhe të marrë më shumë zjarr”.
Dyshohet se situata bën fjalë për ndezjen e tensioneve artificiale në Veri të Kosovës, ku Shabani, siç pretendon audiopërgjimi, garanton se do të punojë për tensionimin edhe më tepër të situatës.