Nga Eduard Zaloshnja
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, sipas numrit të shtetasve në Regjistrin e Gjendjes Civile, Qarkut Tiranë i takonin 36 mandate. Nga ato 36 mandate, PS-ja mori 18, me pothuaj gjysmën e votave të vlefshme në qark (rreth 49%). Mandatet e tjera u shpërndanë tek PD-AN (15), LSI (2) dhe PSD (1). Partitë e tjera në garë nuk arritën të merrnin mjaftueshëm vota për të siguruar mandat parlamentar.
Me lëvizjet e brendshme demografike të viteve të fundit, Qarkut Tiranë mund t’i shtohet një mandat parlamentar, që mund t’i pakësohet Shkodrës, Korçës apo Elbasanit (në vartësi të numrit të shtetasve në Regjistrin e Gjendjes Civile 6 muaj para mbarimit të mandatit aktual të Kuvendit të Shqipërisë).
Me shtimin e një mandati në Qarkun Tiranë (nga 36 në 37) janë rritur ndjeshëm gjasat që PS-ja ta marrë një mandat më shumë se më 2021 (nga 18, mund të marrë 19). Dhe prandaj Drejtuesi Politik i qarkut për PS-në, Erion Veliaj, po shihet duke bërë qysh sot fushatë intensive në çdo bashki e njësi administrative të qarkut. Duket se marrjen e 19 mandateve në qark më 2025 e konsideron si sfidë personale politike!
Po 18 mandatet e tjera si mund të ndahen?
Deri tani, vetëm Shpëtim Idrizi i PDIU-së duket tejet i fokusuar për mandatin e tij në Tiranë – ai e humbi atë më 2017 vetëm për 34 vota të kontestuara deri minutën e fundit, ndërkohë që mori më 2021 më shumë vota personale se sa të gjithë kryetarët e partive të vogla në listën PD-AN. Gjithashtu sinjale impenjimi ka treguar edhe Dashamir Shehi i LZHK-së, i cili ka patur tradicionalisht përkrahje personale në kryeqytet, dhe duket se do ta synojë mandatin në Qarkun Tiranë jashtë aleancës me PD-në.
Nga sondazhi që zhvillova në mes të qershorit, më rezultoi se këta dy politikanë mund ta sigurojnë sot mandatin parlamentar në Qarkun Tiranë, në qoftë se garojnë me siglat e tyre (e jo me sigla të tjera). Gjithashtu nga sondazhi më rezultoi se nga një mandat mund ta sigurojnë sot edhe Lapaj i “Shqipëria bëhet”, Shehaj i “Mundësia”, Meta i PL-së, Basha i partisë ende pa emër, dhe kandidati ende pa emër i PSD-së.
Pjesën tjetër të mandateve (11) ka gjasa që ti sigurojë PD-ja në Qarkun Tiranë, në qoftë se votohet sot…