Qeveria e Kosovës ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska, si dhe kundër Iranit për shkak të programin të saj raketor. Qeveria e kryeministrit Albin Kurti votoi gjatë një mbledhjeje për miratimin e pakove 12 dhe 13 të sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi, tha se masat kufizuese kundër Rusisë kanë të bëjnë me “minimin dhe kërcënimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, si dhe sanksione të tjera për shkelje të rënda dhe abuzime me të drejtat e njeriut në Rusi, që lidhen me vrasjen e liderit opozitar Alexei Navalny”. Sanksionet kundër Iranit, tha ajo, prekin persona dhe subjekte të përfshirë në “aktivitetet e raketave bërthamore, apo balistike dhe personave dhe entiteteve që ofrojnë mbështetje për Qeverinë iraniane”.
BE-ja e miratoi pakon e 12-të të sanksioneve kundër Rusisë më 18 dhjetor 2023, ndërsa pakon e 13-të më 23 shkurt. Ajo pako përfshin ndër të tjera masa për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh me vendet e treta për të penguar anashkalimin e sanksioneve, kufizime të mëtejshme në importet dhe mallrave që gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme për Rusinë, ndalimi i importit, blerjes, ose transferimit direkt ose indirekt të diamanteve. Më 29 janar blloku e rinovoi sanksionet ekonomike edhe për gjashtë muaj ndaj Rusisë për agresionin ushtarak kundër Ukrainës.
Pakoja e 13-të përfshin, ndër të tjera, masa për individë dhe subjekte për veprime që cenojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin, dhe pavarësinë e Ukrainës. Sanksionet prekin sektorët ushtarakë dhe të mbrojtjes, individë te lidhur, duke përfshirë ata që furnizojnë me armatim RDKV (Korenë e Veriut). BE-ja i shtoi 27 entitete të reja në listën e atyre që mbështesin drejtpërdrejt kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.