Kryeministri Edi Rama po vijon takimet me qytetarët e Thethit. Ai u ka thënë qytetarëve se duhen ruajtur karakteristikat e vendit, në mënyrë që Thethi të jetë i veçantë dhe numri i turistëve të rritet.
Ai ka marrë shembullin e Korsikës, e cila mbrohet nga vetë qytetarët dhe nuk lejohen ndërtimet pa leje apo dhe dëmtimi i vendit.
“Turistët vijnë këtu për shkak të këtyre karakteristikave dhe prandaj duhen ruajtur. Këtu nuk duhen bërë gjëra që mund të gjesh në Tiranë apo në Korçë. Ky vend ka karakteristikat e veta. Këtu nuk duhet të ishte prekur asgjë po ta shohim ligjin në mënyrë strikte. Në zonat e mbrojtura nuk është fare e vërtetë që njerëzit janë pjesë e pyllit siç është dhe fauna, janë aty për të pasur një jetë më të mirë dhe për të bërë investime.
Kërkesa këtu vjen duke u rritur për vit, prandaj dhe numri i turistëve do të rritet. Përfitimi do të vijë duke ruajtur me fanatizëm gjërat që keni. Shikoni Korsikën që është një ndër vendet që e ka ruajtur me fanatizëm vendin e vetë. Atje nuk lejohet asnjë ndërtim, janë banorët që nuk lejojnë. Ata nuk të lënë as dhe një bisht cigareje. Është një pasuri e përbashkët e një familje. Në qoftë se këtu priten pemët këtu për shembull, investimi bie”, u shpreh Rama.