Kryeqyteti britanik, Londra është renditur në listën e 10 vendeve më të shtrenjta për punonjësit e huaj, në një indeks global.
Qyteti i Britanisë së Madhe është ngjitur me nëntë vende që nga viti i kaluar, duke u renditur i teti në renditjen e qyteteve me koston më të lartë të jetesës për vitin 2024 e që botohet nga “Mercer”.
Londra u ngjit më lart në listë për shkak të faktorëve që përfshijnë koston e përgjithshme të jetesës dhe çmimet e qirave. Hong Kongu ruajti vendin e parë në renditjen e këtij viti, i ndjekur nga Singapori. Qytetet zvicerane Zyrihu, Gjeneva dhe Bazeli janë pesë qytetet më të shtrenjta.
Edinburgu u rendit në vendin e 53-të, Glasgow në të 68-in, Birmingham në të 78-in, Aberdeen i 82-ti dhe Belfast i 87-ti. Parisi kapi vendin e 29-të dhe Dublini, të 41-tin.
Indeksi përfshin 226 vende në të gjithë botën. Ai mat koston krahasuese të më shumë se 200 artikujve në çdo shtet, duke përfshirë transportin, ushqimin, veshjet, mallrat elektroshtëpiake e argëtimin. Abuja në Nigeri rezultoi më pak i renditur në sondazh, në vendin e 226-të.
“Mercer”, një kompani konsulenete e “Marsh McLennan”, përpilon renditjen për të ndihmuar punëdhënësit shumëkombësh të planifikojnë paketa kompensimi për punëtorët.
Renditja e qyteteve me koston më të lartë të jetesës për vitin 2024:
1. Hong Kongu
2. Singapor
3. Zyrih, Zvicër
4. Gjenevë, Zvicër
5. Bazel, Zvicër
6. Bernë, Zvicër
7. Nju Jork, SHBA
8. Londër, Britani e Madhe
9. Nassau, Bahamas
10. Los Anxhelos, SHBA.