Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, thotë se e dënon pa rezerva sulmin terrorist të ndodhur vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit. Duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, Robertson thekson nevojën që të ketë fund të dhunës në rajon dhe të ndryshojë imazhi i Ballkanit Perëndimor nga të qenit një zonë problematike në diçka që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane.
Për këtë arsye, Robertson nënvizon se siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme për perëndimin dhe NATO-në. Megjithëse thotë se s’ka rrezik të një lufte të re në rajon, ai ngrit shqetësimin se nëse Rusia ka sukses në agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, atëherë Ballkani Perëndimor do të jenë një zonë tjetër ku presidenti rus, Vladimir Putin do të bëjë telashe.
Robertson i cili ka qenë ministër i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, thotë se siguria në Kosovë dhe rajon do të ketë rëndësi në të ardhmen, pasi do të sjell më shumë investime dhe ngritje të kapitalit për brezin e ri. Sipas tij, Ballkani Perëndimor ka potencial të madh, andaj vendet perëndimore duan të shohin përfundimisht fund të dhunës në këtë zonë.
“Siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse NATO përforcoi trupat e saj edhe këtu…Kjo është arsyeja pse siguria në këtë vend do të ketë rëndësi në të ardhmen, por edhe pse siguria ekonomike do të ketë rëndësi edhe për brezin e ri. Çdo dhunë duhet të dënohet dhe unë e dënoj atë pa rezerva. Por ne duhet të shohim përfundimisht një fund të dhunës në këtë rajon. Ky rajon ka potencial të madh, por duhet të ndryshojë imazhin e të qenit një zonë problematike në një zonë që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane”, deklaron Robertson.