Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë në Euro 2024 përballë Kroacisë, me kuqezinjtë e Sylvinhos që do të hynë në fushë për të fituar, në mënyrë që të jenë akoma në garë për t’u kualifikuar nga grupi.
Ky takim pritet të jetë i luftuar nga të dyja skuadrat, të paktën kështu mendon Pero Pejic. Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Top Channel, Jon Lumani, ish-sulmuesi që shkroi historinë në futbollin shqiptar me klube të njohura si Tirana, Skënderbeu, Kukësi etj. U shpreh se ky duel mund të vendosë dhe se cila skuadër do të kalojë më tej.
Zoti Pejic, ju keni luajtur prej vitesh në kampionatin shqiptar dhe besoj se keni ndjekur edhe Kombëtaren shqiptare. Çfarë menduat kur Kroacia u barazua me Shqipërinë në Europian?
Po, sigurisht që e kam ndjekur Kombëtaren shqiptare. Kur pashë që ramë së bashku në grup me Spanjën dhe Italinë ishte surprizuese, sepse është një “Grup Ferri”.
A mendoni se Kroacia do ta ketë të vështirë ndaj skuadrës së Sylvinhos?
Po, sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë. Të gjitha ndeshjet në Europian janë të vështira, nuk ke të lehta. Tani, që të dyja skuadrat e humbën ndeshjen e parë, do të futen në të dytën për ta fituar. Kroacia sigurisht që do të hyjë në fushë për të fituar sfidën.
Cili lojtar mendoni se do t’i krijojë më shumë probleme skuadrës kroate?
Shqipëria luan si një grup i tërë. Ata kanë lojtarë që luajnë jashtë Shqipërisë në kampionate të forta. Asani, Bajrami, Broja dhe lojtarët e tjerë që luajnë në sulm do të jenë më të rrezikshëm për skuadrën tonë.
Çfarë taktike mendoni se do të përdorë Dalic për të ndalur skuadrën shqiptare?
Nuk mendoj se do të mendojmë shumë si të ndalim Shqipërinë. Kroacia luan gjithmonë futbollin e saj, duke mbajtur topin dhe duke kontrolluar ndeshjen. Ne do të futemi në fushë për të fituar, njësoj si Shqipëria. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe interesante.
Kush mendoni se do t’i kalojë grupet mes Shqipërisë dhe Kroacisë?
Për mendimin tim, Spanja do të kualifikohet, ndërsa vendi i dytë do të mësohet pas të trija ndeshjeve. Por gjëja e mirë është që kalojnë 4 vendet e treta më të mira, kështu kemi shanse. Shqipëria ose Kroacia, kush do të jetë më e fokusuar dhe të ketë përqendrim më të lartë, do të kalojë.
Një parashikim për ndeshjen e nesërme?
Mendoj se nëse lojtarët kroatë do të jenë në gjendje të mirë dhe do të japin një performancë të mirë, atëherë Kroacia do të fitojë, por në futboll nuk i dihet kurrë. Unë them 1-0 për Kroacinë.