Sulmi i drejtpërdrejtë i opozitës ndaj gazetarit Arbër Hitaj ka sjellë reagimin e fortë të Shoqatës së Gazetarëve Evropianë. Otmar Lahodynsky, President Nderi i AEJ i cilëson krejtësisht të pahijshme sulmet e zyrtarëve të PD ndaj gazetarit Hitaj.
“Si President Nderi i Shoqatës së Gazetarëve Evropianë, AEJ, protestoj me termat më të fortë kundër sulmeve krejtësisht të pahijshme të zyrtarëve të “Partisë Demokratike” ndaj kryetarit të seksionit shqiptar të AEJ-së, Arbër Hitaj.
Ai në mënyrë krejt legjitime protestoi kundër përdorimit të bombave molotov kundër gazetarëve në një demonstratë të fundit të kësaj partie në Tiranë dhe kërkoi arrestimin e autorit.
Prandaj dënoj sulmet e motivuara politikisht kundër Arbër Hitajt dhe familjes së tij. Seksioni Shqiptar i AEJ-së ka qenë gjithmonë i balancuar politikisht dhe në deklarata të shumta ka qenë kritik ndaj qeverisë socialiste kur ka pasur shkelje të lirisë së shtypit apo raste ngacmimesh ndaj gazetarëve”, thekson Otmar Lahodynsky, President Nderi i Shoqatës së Gazetarëve Evropianë, AEJ.
Përfaqësues të Rithemelimit sulmuan gazetarin Arbër Hitaj menjëherë pas protestës para bashkisë ditën e martë, pasi një bomb molotov rrezikoi jetën e përfaqësuesve të mediave që po ndiqnin protestën.