Nga prilli i 2019 deri më 31 dhjetor 2022, ai ishte trajneri i Kombëtares kuqezi. Edy Reja shprehet se shqiptarët i ka në zemër, paçka se për ‘Gazzetta dello Sport’ thotë se në përballjen e Euro 2024 do të bëjë tifo për Italinë.
Në ‘Euro 2024’, pikërisht për Grupin B Shqipëria dhe Italia do të luajnë të shtunën e 15 qershorit në orën 21:00. Ish-trajneri Edy Reja ka analizuar ndeshjen, duke treguar edhe pikat e forta të Shqipërisë, pa harruar të ndalet edhe te Sylvinho.
Sylvinho? “Është i zoti, ka bërë një punë të madhe duke arritur objektivin, u kualifikua me meritë si të parët në një grup me Republikën Çeke dhe Poloninë. Gjeti dhe një bazë të mirë, ishin të gjithë lojtarët e mi, përjashto këtu Arbër Hoxhën, Ramadani, Asllani, Gjimshiti, Mitaj.
Bajramin e binda të vinte te Shqipëria. Broja ishte i ri, Manaj është një tjetër krijesë e imja. A bëj tifo për Shqipërinë? Unë jam italian, i kam “azzurrët” në zemër, por kam afeksion dhe simpati për shqiptarët, do të më pëlqente nëse do të bënin një figurë të mirë, por do të bëj tifo për Italinë, e njoh edhe Spallettin”.
Çfarë duhet të presim nga kjo sfidë? “Shqipëria nuk duhet nënvlerësuar, është rritur shumë në raport me 2016, është një skuadër e fortë nga pikëpamja karakteriale. Do të jetë e vështirë t’i nxjerrësh jashtë.
Spalletti duhet të shikojë Bajramin mes linjave, nuk e di nëse do ta mbulojë Cristante apo Jorginho. Shqipëria mbrohet me tetë lojtarë, nuk të lënë shumë hapësira.
Lojtarët e krahut, Asani, Hoxha ose Seferi përpara Brojës, janë të gjithë të shpejtë. Të tjerët si Hysaj dhe Ismajli luajnë në Serie A. Ata e njohin filozofinë tonë, mënyrën tonë të të luajturit.
Me Spanjën dhe Kroacinë ky është një grup i komplikuar për Italinë, por edhe Shqipëria ka shanse, kjo do të jetë një sfidë decizive”.
Në Dortmund do të jenë 15-20 mijë tifozë shqiptarë, do të vijnë nga e gjithë Evropa, do të ketë një entuziazëm të paparë.
Rreziku kryesor për Italinë? “Kundërsulmi. Nëse do t’i lejojmë hapësira do të na bëjnë keq. Broja duket se ka ardhur me mendjen e duhur”,- është shprehur Edy Reja.